Bota

Britania zotohet të ndajë edhe 620 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën

Britania e Madhe është zotuar të martën për ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 620 milionë dollarësh. Ndihma përfshinë raketa me rreze të gjatë dhe katër milionë fishekë, në një kohë kur Ukraina po përpiqet të mos lejojë përparimin e forcave ruse në frontin lindor të luftës, në vitin e tretë të saj.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky të martën në mëngjes për t’ia konfirmuar ndihmën dhe “e ka siguruar atë për mbështetjen e palëkundur të Britanisë së Madhe për mbrojtjen e Ukrainës kundër ambicieve brutale dhe ekspansioniste të Rusisë”, ka bërë të ditur zyra e Suankut, raporton AP.  

Lexo më shumë  Kryeministri në ardhje i Serbisë: Do të mbajmë miqësinë me Kinën e Rusinë, nuk vendosim sanksione për luftën ruse në Ukrainë

Kryeministri britanik ka udhëtuar për në Varshavë të martën, për t’u takuar me kryeministrin polak, Donald Tusk dhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, rreth ndihmës së mëtejme për Ukrainën. 

Përpara vizitës, Qeveria britanike ka thënë se Sunaku do të ndante 500 milionë funte për furnizim të ri ushtarak, përfshirë 400 vetura, 60 anije, 1,600 municione dhe 4 milionë fishekë.  

Dërgesa do të përfshijë raketa britanike “Storm Shadow”, të cilat kanë një rreze veprimi prej rreth 150 miljesh dhe kanë rezultuar efektive në goditjen e objektivave ruse.

Lexo më shumë  Rusia po fajësohet për ndërhyrje në GPS, probleme me fluturimet nëpër Evropë

“Presidenti Zelensky falënderoi kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, duke thënë se ndihma e re ushtarake do të bënte një ndryshim material për ukrainasit e zakonshëm që luftojnë në vijën e frontit për të mbrojtur vendin e tyre”, ka bërë të ditur përmes një njoftimi Downing Street. 

Njoftimi për ndihmë britanike vjen vetëm tri ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi ndihmën për Ukrainën, në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.

YouTube player