Bota

Hetimet konfirmojnë fundosjen e anijes ruse nga Ukraina

Grupi hulumtues Ekipi i Inteligjencës së Konflikteve (CIT) konfirmoi më 23 maj se një raketë ukrainase e goditi para katër ditëve një anije ruse për bartjen e raketave në portin e Sevastopolit.

Anija Cyclone i takonte flotës detare të Rusisë në Detin e Zi, sipas CIT.

CIT tha se, pasi i analizoi fotografitë e një anije të fundosur, erdhi në përfundim se anija ishte një Cyclone për bartjen e raketave. Kjo anije i ishte bashkuar flotës ruse gjashtë muaj më parë.

Rusia nuk e ka konfirmuar humbjen e anijes dhe nuk ka të dhëna publike për viktima të mundshme në mesin e ekuipazhit të anijes.

Lexo më shumë  SHBA, Kievi dhe aleatët, refuzojnë ofertën e Putinit për armëpushim

Inteligjenca e Britanisë së Madhe ka thënë se anija ruse “sipas të gjitha gjasave” u fundos nga një sulm ukrainas në Sevastopol, në Krimenë e uzurpuar, më 19 maj.

Sulmi u krye me gjasë me dronë dhe me raketa ATACMS, sipas Inteligjencës britanike. Anija Cyclone ishte njëra prej katër anijeve ruse të klasës Karakurt. Ajo ishte e pajisur me raketa lundruese, të cilat janë përdorur kundër Ukrainës.

Inteligjenca britanike theksoi se, derisa ka pak mundësi ta ndryshojë ndikimin e marinës ruse ndaj operacioneve ukrainase, sulmi “megjithatë thekson rrezikun e vazhdueshëm me të cilin forcat ruse po përballen gjatë veprimtarisë së tyre në Krimea dhe në rajonin e Detit të Zi, si dhe suksesin e vazhdueshëm të Ukrainës kur kryen sulme të koordinuara”.

Lexo më shumë  Aeroplani luftarak rus futet në hapësirën ajrore të Suedisë

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Rusia i ka humbur 26 anije dhe varka, dhe një nëndetëse prej se e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Moska nuk i komenton humbjet e veta.

Rruga Press

YouTube player