Speciale

Hera e parë që një Kryeministër i Kosovës viziton fshatin tonë

Shkruan Jeton Zulfaj

Merre një sheqer. Këtu është shumë lartë dhe ndodhë që njerëzve që vijnë këtu ju ligështohet trupi nga lartësia. Në xhep kam disa sosh. I mbaj për të tjerët sepse unë jam mësuar. Herën e parë kur më ndodhi ishte verë, kështu si sot. Kisha bërë mbi tre orë rrugë nga Tetova deri këtu dhe kur mbërrita, mu ligështua trupi. Fatmirësisht kisha një sheqer me vete dhe më kaloi. Prej asaj dite i mbaj me vete.

Nuk dija për shkencën mbrapa këtij sugjerimi. Mbase e kishte më shumë nga lodhja e të ecurit se sa nga lartësia. Gjithsesi, sheqerin e mora dhe po e mbaja në xhepin e setrës. Siç e thotë Jul Cezari, “Përvoja është mësuesi i të gjitha gjërave”.

Burri që më ofroi sheqerin ishte i moshuar. Fytyra i buzëqeshte pa ndalë dhe kishte një lumturi ngjitëse. Ka kohë që s’kam pasur një bisedë aq të çiltër, me fjalë të zemrës e pa bisht. Ishte aq i hapur dhe i drejt sa mbeta pa fjalë për një çast. Në qytetin e madh jam mësuar që, edhe pse në politikë për një kohë relativisht të shkurtër, çdo takim i ri duket si marrje në pyetje. Por për të moshuarin e fshatit Vicë gjërat ishin të thjeshta e të qarta. Kosova është me fat për zgjedhjen që ka bërë dhe po bëhet punë e madhe kurse ne çdoherë kemi qenë të lidhur me Kosovën. Kjo është hera e parë që një Kryeministër i Kosovës viziton fshatin tonë, tha ai. Gjatë bisedës ndjeja freskinë e erës së malit që frynte ngadalë dhe më përplasej butësisht mbi fytyrë.

Pasi zbuluam në Çair pllakën e re të rrugës që nga tash e tutje do të mbajë emrin e veprimtarit të shquar “Adem Demaçi”, u nisëm drejt Tetovës, ku u pritëm nga kryetari i Komunës. Nga Tetova u nisëm për në fshatin Vicë. Për fatin tim, unë nuk kisha bërë kërkim paraprak për fshatin në internet. Sado e dobishme, një gjë e tillë e humb elementin e befasisë dhe përjetimeve që ke kur sheh diçka për herë të parë.

Rruga drejt fshatit Vicë nga Tetova fillonte me përpjetën drejt malësisë së Tetovës. Një rrugë gjarpërore ku shpejt e gjen veten mbi qytet. Nga lartë Tetova dukej edhe më e bukur. Një hapësirë e gjerë dhe e rrafshët e rrethuar nga katër anët me male të larta që i japin qytetit sa pamjen madhështore po aq edhe ajrin e freskët të bjeshkëve. Një vepër nga zoti e bërë dhuratë për tetovarët.

Lexo më shumë  Kryetari i Zveçanit Ilir Peci vendoset në objektin e Komunës

Rruga për në Vicë kalon përmes fshatit Sellcë. Një fshat i bukur rreth katër kilometra larg qytetit të Tetovës ku fillojnë e lëshojnë shtat malet e Sharrit me një pamje magjepse të një lugine të thellë që shtrihet para tij.

Rrugëve të fshatit, fëmijët e veshur me kostume kombëtare valonin flamurin kuq e zi dhe brohorisnin emrin e Kryeministrit, kurse të rriturit me telefona në duar, në rrugë dhe dritare të shtëpive, kapnin momentin e kalimit të delegacionit tonë nëpër rrugët e ngushta të fshatit Sellcë.

Asfalti na mbaron shpejtë dhe ne vazhdojmë rrugës me zhavorr. Pluhuri nga makinat bënë që për një çast të humbasim pamjen e malit. Kur po afroheshim tek fshati Vicë, sërish prekim në asfalt. Ishte ky segmenti i rrugës të sapo shtruar që u bë edhe shkas i vizitës tonë për në fshatin Vicë.

Makinat ndalen dhe ne zbresim. Disa nga banorët ishin rreshtuar në rrugë dhe prisnin daljen e Kryeministrit. Së bashku me banorët ecim rrugës drejt vendit të pritjes. Dhe ja, gjersa hedhim hapat

teposhtë drejt vendit të pritjes, pas kalimit të kthesës së rrugës, para na shfaqet fshati Vicë.

Një pemë e vjetër në cep të kodrës e cila pengon pamjen e plotë të fshatit gjersa i afrohesh cepit të saj, është pikë-takimi ynë më banorët. Fëmijët e veshur me kostumet kombëtare valojnë flamurin kuq e zi ndërsa të rriturit e buzëqeshur na zgjatin dhe shtrëngojnë fort dorën duke na uruar mirëseardhje.

Pema ku ndalemi për takim befas më ngjanë me pemën e drurit nga mali i zotit (godswood) të Winterfellit nga seriali “Game of Thrones” si një zonë qetësie dhe meditimi.

Shtëpitë janë të ndërtuara në përpjetën e malit njëra pas tjetrës që ngjajnë si një peizazh nga pikturat e Van Gogh. Nëse Van Gogh do zgjedhte një vend nga ku të hedhte shikimin e tij përmes pikturës drejt fshatit Vicë, sigurisht se do të ishte nga kjo kodër dhe tek kjo pemë.

Dielli, që rrinte prapa reve duke i lënë vend erës me freskinë e saj, filloi të lëshonte rrezet përvëluese.

Lexo më shumë  Kosova dhe Ukraina në shënjestër të dezinformatave serbo-ruse gjatë javës që lamë pas

Kështu është këtu. Kur ka diell të përvëlon, kur ikën dielli mërdhin.

Kisha lexuar diku që sa më lartë që ngjitesh më pak atmosferë mbetët për të thithur rrezatimin ultravioletë e gjithashtu atmosfera hollohet që e bënë ajrin më të freskët por edhe rrezet ultravioletë lehtë të depërtueshme. Prandaj kur ka diell këtu lartë të përvëlon e kur ikën mërdhin, por ndoshta këtë muhabet e bëjmë njëherë tjetër, them unë, pasi edhe koha po na mbaronte.

Këtu është zonë e lartë, por ne mburremi me patatet, vazhdon i moshuari i fshatit Vicë pasi më tregoi për historinë e sheqerit dhe bisedën për diellin përvëlues që nuk e vazhduam.

Patatet. Në këtë lartësi?

Po. Patatet këtu janë të jashtëzakonshme.

Ashtu? Çfarë i bënë të jashtëzakonshme?

Nuk i ujitim asnjëherë dhe shkrihen në gojë kur i zien. Duhesh ti provosh për ta kuptuar.

Patjetër. Si t’i dalloj në treg?

Janë pak më të kuqe. Ne i shesim në Tetovë dhe aty i njohin.

Duhet t’i kërkoj patjetër, i them unë.

Për fat të keq nuk arrita të blej por sigurisht që do t’i kërkoj në treg. Sa mirë do ishte sikur të kishte një markë të patateve të fshatit Vicë. Në atë mënyrë edhe do të dalloheshin lehtë në treg. Kush e di, mbase një ditë njëri nga banorët e fshatit Vicë do të investoj në një markë të tillë të patateve të fshatit dhe kështu ta bëjë të ditur edhe fshatin edhe patatet.

Vizita ishte drejt fundit dhe duhej të përshëndeteshim me banorët. Siç erdhëm ashtu edhe po largoheshim, përmes shtrëngimit të duarve nga banorët të cilët ishin fort të gëzuar nga vizita dhe takimi ynë i përbashkët.

Gjersa ecim drejt makinës nga ku do nisemi sërish për në Tetovë, ku na priste një tubim madhështor në sheshin Iliria, i hedh një shikim të fundit fshatit Vicë, pamja e të cilit do të më mbetet në kujtesë deri në takimin e radhës.

Rruga Press

YouTube player