HEC-i i Fierzës ndal prodhimin e energjisë, rënia e nivelit të ujit mbyll turbinat
Situata hidrike në kaskadën e Drinit paraqitet alarmante. Burimet bëjnë me dije se që nga mëngjesi i ditës së sotme, hidrocentrali i Fierzës nuk prodhon asnjë kilovat energji elektrike. Të gjitha turbinat e hidrocentralit janë të mbyllura ndërkohë që niveli i liqenit është afër pikës së vdekjes.
Baseni ujor i hidrocentralit të Fierzës po shkon drejt tharjes totale, ndërkohë që ditët e fundit është ndaluar prodhimi energjisë nga ky HEC. Burime nga drejtoria e hidrocentralit të Fierzës, bëjnë të ditur se prej ditës së djeshme, turbinat e prodhimit të energjisë në liqen janë mbyllur, pasi niveli i ujit është pranë pikës kritike. Vetëm tre ditë më parë, niveli i ujit në liqenin e Fierzës arriti në pikën 257 metra mbi nivelin e detit, ose 16 metra larg pikës kritike. Por sot, punonjës të KESH pranë hidrocentralit të Fierzës kanë vendosur të mos japin informacion se sa ka vijuar të ulet niveli i ujit në basen.
Por pavarësisht kësaj, fakti që është ndaluar prodhimi energjisë, nënkupton që niveli i ujit duhet të ketë shkuar pranë kuotës minimale të mbajtjes në punë të hidrocentralit, që është 240 metra mbi nivelin e detit. Aktualisht, nga Fierza nuk prodhohet energji elektrike, ndërkohë që agregatët e këtij hidrocentrali punojnë me orare të caktuar aq sa për të mos shkaktuar kolaps në sistemin e prodhimit.
Niveli i uji është ulur ndjeshëm në liqen, aq sa tashmë kanë dalë mbi sipërfaqe rrënojat e qytetit të Kukësit të vjetër, por edhe të fshatrave që dikur gjendeshin në shtratin e lumit Drin. Ndërkohë, situata është problematike edhe në dy hidrocentralet e tjera të kaskadës së Drinit, Koman dhe Vau i Dejës, ku niveli i ujit edhe në këto basene është duke shkuar pranë pikës kritike. Ndërkohë, në këto dy hidrocentrale puna për prodhimin e energjisë është në kuota minimale.
Rruga Press