Lajme

“HEC-et, ja kostot mjedisore në një zhvillim kaotik”

Flet hidrobiologu Olsi Nika, mbi dëmin e shkaktuar dhe çfarë mund të bëhet për uljen: HEC-e të vogla në të njëjtën rrjedhë mund të kenë ndikime domethënëse dhe të pakthyeshme në ekosistemet ujore duke dëmtuar rrjedhën, florën dhe faunën, por edhe duke shkaktuar konflikte me përdorues të tjerë të ujit…

Shqipëria ka ndërtuar pafund hidrocentrale, por sot nuk ka asnjë studim që mat ndikimin që ka dhënë kjo politikë në mjedis, në florë apo faunë. Hidrobiologu Olsi Nika, aktiv edhe pranë organizatës joqeveritare EcoAlbania, tha për “Monitor” se është detyrë e autoriteteve të bëjnë një studim analitik mbi këtë aspekt.

Ai vlerëson se dy janë problematikat që hasen lidhur me HEC-et. “Së pari, ndërtimi i tyre është absolutisht i pabazuar në ndonjë masterplan mbarëvendor, që do të thotë se shpërndarja e tyre është aq kaotike sa është e vështirë të gjykosh nëse ndërtohen për qëllime energjetike apo janë thjesht “orientim drejt biznesit” i kompanive që kanë më shumë akses te vendimmarrja. Së dyti, edhe pse kaotike e të paplanifikuara shumica e këtyre HEC-eve nuk respektojnë standardet mjedisore të përcaktuara në lejet mjedisore përkatëse”, – shprehet Nika.

Shqipëria vazhdon të jetë e orientuar drejt ndërtimit të hidrocentraleve. Së fundmi ka një interes për ata me fuqi të instaluar deri në 2 MW në degë të pashfrytëzuara më parë. Cili është ndikimi mjedisor i këtyre HEC-eve?

Është e vërtetë që Shqipëria vazhdon të jetë e orientuar drejt hidroenergjisë. Në fakt, Shqipëria është pothuajse 100% e varur vetëm nga hidroenergjia. Kjo ka ardhur si pasojë e disa arsyeve. Së pari, për shkak se rrjeti hidrografik i vendit tonë ka një potencial të konsiderueshëm hidroenergjetik në përpjesëtim me numrin e popullsisë.

Kjo ka qenë shtysa e parë që ka nxitur vendimmarrësit (sidomos në kohën e komunizmit) që të adaptonin politika të orientuara drejt hidroenergjisë. Në fakt, për kohën hidroenergjia ka qenë pranuar si një mënyrë mjaft e lirë dhe e “padëmshme” për përftimin e energjisë. Në këtë mënyrë u ndërtuan HEC-et në kaskadën e Drinit dhe të tjerë HEC-e të mesëm e të vegjël si Ulza, Shkopeti, Bistrica etj.

Indicia e dytë erdhi si pasojë e ndryshimeve të mëdha demografike të periudhës postkomuniste. Urbanizimi i vrullshëm dhe shpesh i pakontrolluar nga njëra anë, por edhe rritja graduale e nivelit të jetesës rritën gjithnjë e më shumë kërkesën për energji. Me një kërkesë të tillë në rritje dhe me një mungesë të theksuar të investimeve, Shqipëria e viteve 2000 u gjend përballë një krize energjetike, ku kufizimet e furnizimit me energji por edhe “black out” totale u bënë të zakonshme në pjesën më të madhe të territorit.

Në këtë moment, për shkak të emergjencës së krijuar qeveria u riorientua nga hidroenergjia përmes skemave të koncesioneve. Kështu duke u bazuar mbi një direktivë politike dhe jo mbi studime të thelluara e afatgjata, politika e “tkurrjes” drejt lumenjve dominoi listën e koncesioneve në vitet 2005-2009. Në vetëm 4 vjet u nënshkruan rreth 180 kontrata koncesioni për ndërtimin e mbi 400 HEC-eve të shtrira në të gjithë territorin.

Shumica e tyre iu dhanë kompanive me zero përvojë në ndërtimin e HEC-eve. Askush nuk mendoi në mënyrë afatgjatë mbi ndikimet që këto projekte do të kishin në mjedis, shoqëri dhe ekonominë shqiptare, sepse asnjëherë nuk u ndërmor një makro-studim gjithëpërfshirës për këtë problematikë.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Me ndryshimin e Qeverisë në vitin 2013 është vënë re një tkurrje e numrit të koncesioneve. Kjo përgjithësisht për pasojë të pamundësisë potenciale të lumenjve për më shumë HEC-e. Kështu në fund të mandatit (maj 2017) numri i koncesioneve për HEC-et u rrit nga 420 në 530 HEC-e.
Së fundmi (që nga viti 2016) duke marrë shkas edhe nga disa ndryshime në ligjin për koncesionet, për HEC-et e vogla aplikohet një procedurë më e thjeshtëzuar duke u përjashtuar disa procese si përgatitja e një raporti të VNM, konsultimi me komunitetin etj.

Këto ndryshime u adaptuan me argumentimin se HEC-et e vogla nuk kanë ndikim domethënës në mjedis. Megjithatë shumë ekspertë në vend, por edhe jashtë Shqipërisë, kanë vlerësuar se disa HEC-e të vogla në të njëjtën rrjedhë mund të kenë ndikime domethënëse dhe të pakthyeshme në ekosistemet ujore duke dëmtuar rrjedhën, florën dhe faunën, por edhe duke shkaktuar konflikte me përdorues të tjerë të ujit.

Pra impakti kryesor i HEC-eve të vogla është amplifikimi i ndikimit nga prania e disa HEC-eve në të njëjtën rrjedhë ose basen lumor. Kjo shpesh nuk merret fare në analizë gjatë procesit të dhënies së dritës jeshile për këto projekte. Ndikim tjetër ka edhe në bimësinë dhe faunën e ekosistemeve ujore.

Përgjithësisht HEC-et e vogla me derivacion krijojnë thatësirë, nganjëherë edhe permanente në segmente të tëra përgjatë lumit. Nëse në një rrjedhë do të vendoseshin 3-4 HEC-e të tillë, atëherë humbet ajo që në ekologji quhet “lidhja gjatësore e lumit” e cila shërben si rrugë migrimi për gjallesat që jetojnë në lumë.

A kemi një bilanc mbi dëmin e deritanishëm në florë dhe faunë për HEC-et dhe ku rezulton dëmi më i konsiderueshëm?

Në shumicën e rasteve është shumë e vështirë të përllogariten në kohë dëmet që mund të vijnë në mjedis, si pasojë e një ndërhyrjeje të pastudiuar. Sepse mjedisi gjithnjë është më “i duruar” se ne njerëzit dhe shërben si një amortizator i shumë ndikimeve. Pa dyshim që ka një masë të caktuar tej së cilës mjedisi nuk mund të tolerojë dhe pastaj ndryshimet bëhen të dukshme e të prekshme. Kjo gjë vlen për çdo ndërhyrje, qoftë edhe për HEC-et.

Megjithatë ne ende nuk kemi një bilanc zyrtar të ndikimeve në florë dhe faunë (biotë) që mund të jenë shfaqur nga ndërtimi i HEC-eve. Ndërkohë që ajo që shfaqet qartësisht është ndryshimi i peizazhit në zonat ku këto HEC-e janë ndërtuar, ndryshime që përkthehen në ndryshim tërësor ose pjesor të habitateve në këto zona. Megjithatë, shumë studiues të cilët kanë të dhëna të gjendjes para ndërtimit të HEC-eve në zona të caktuara mund të saktësojnë se qysh tani, shumë popullata të faunës kanë tashmë një tjetër fizionomi.

Në këtë pikë është detyrë e autoriteteve që të ndërmarrin një studim të tillë analitik dhe krahasues për të përllogaritur ndryshimet si dhe faturën financiare që kanë këto dëmtime.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Çfarë mund të bëhet për të minimizuar këtë dëm në ato zona ku tashmë ndërtimi është kryer?

Nga përvoja ime personale, në Shqipëri janë dy problematika që hasen në lidhje me HEC-et: Së pari, ndërtimi i tyre është absolutisht i pabazuar në ndonjë masterplan mbarëvendor, që do të thotë se shpërndarja e tyre është aq kaotike sa është e vështirë të gjykosh nëse ndërtohen për qëllime energjetike apo janë thjesht “orientim drejt biznesit” i kompanive që kanë më shumë akses te vendimmarrja.

Së dyti, edhe pse kaotike e të paplanifikuara, shumica e këtyre HEC-eve nuk respektojnë standardet mjedisore të përcaktuara në lejet mjedisore përkatëse.
Dhe ky është problemi më i madh, i cili mund të jetë lehtësisht i zgjidhshëm nëse autoritetet përgjegjëse do të ndërhynin më shpesh dhe më rreptësisht në monitorimin e situatës gjatë fazës së operimit të këtyre HEC-eve.

Lidhur me përmirësimin e teknologjisë, në gjykimin tim inovacioni në fushën e hidroenergjisë është diçka që nuk mund të ndihmojë, sepse vetë hidroenergjia është një teknologji e vjetërsuar. Për këtë, por edhe për ndikimin që HEC-et kanë në mjedis, shumë vende të zhvilluara janë orientuar drejt burimeve të tjera alternative të përftimit të energjisë.

Nëse vëmë në balancë interesin mjedisor dhe atë energjetik të vendit për HEC-et e vogla deri në 2 MW, kush duhet të mbizotërojë, a ia vlen dëmi mjedisor për aq prodhim sa do të marrim?

Në të vërtetë janë disa interesa që duhet të vihen në balancë kur politika orientohet vrullshëm drejt një zhvillimi të caktuar. Pra janë nevojat, emergjencat, kostot qofshin këto ekonomike a mjedisore, por edhe pasojat. Në të vërtetë, asgjë nga këto nuk ka ndodhur gjatë procesit “malinj” të koncesionimit të lumenjve. Sa u përket HEC-eve të vogla, ato mund të jenë të dobishme, por kurrsesi të padëmshëm në zona të caktuara, aq sa t’ia vlejë për t’u sakrifikuar. Por këto HEC-e dhe HEC-et në përgjithësi nuk besoj se janë zgjidhja qoftë për situatën energjetike në Shqipëri, apo qoftë për rritje ekonomike “magjike” të vendit tonë.

Ajo për të cilën Shqipëria ka nevojë mjaft emergjente është ndërtimi i një koncepti të balancuar të burimeve të përftimit të energjisë, duke shfrytëzuar edhe potencialet e tjera si erën, diellin, biomasën etj., në mënyrë racionale, së pari për të plotësuar kërkesat e veta me një çmim sa më të lirë dhe së dyti për të ndikuar në rritjen ekonomike të qëndrueshme përmes eksportit, nëse bilanci do të dilte suficitar.

Pra një plan i qartë mbi burimet, ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë, plani hapësinor i vendosjes së tyre, si dhe plani i përllogaritjes së kostove do të ishin pjesë e këtij koncepti të balancuar të energjisë, i cili siç u theksua edhe më lart është nevoja më emergjente për vendin tonë përpara se të jepet me koncesion çdo lumë, të cilët padyshim që do të kenë ndikimin e tyre, por ajo që ne sot nuk e dimë me siguri është nëse ia vlen apo jo!

Marrë nga /revistamonitor/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *