KryesoreLajme

Haxhiu thirrje mërgatës: Regjistrohuni për të votuar. Afati është deri në 17 maj

U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar sot me një videomesazh bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit, duke i ftuar ata të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në zgjedhjet e parakohshme që mbahen më 7 qershor.

Haxhiu vlerësoi lart kontributin e pandalshëm të diasporës, duke theksuar se ata e kanë mbajtur Kosovën afër në çdo rrethanë, pavarësisht largësisë apo sfidave historike.

Afati për regjistrimin e votuesve jashtë vendit ka nisur sot dhe do të jetë i hapur deri më datën 17 maj.

“Të dashur bashkatdhetarë, sot po ju drejtohem juve që për dekada keni mbajtur Kosovën afër; në punë, në shtëpi, në gjuhë, në kujtesë dhe në dinjitet. Regjistrohuni për të votuar. Ju keni qenë pranë Kosovës edhe kur kufijtë, dhuna dhe largësia janë munduar t’ju mbajnë larg. Keni punuar dhe keni sakrifikuar për ta ndihmuar atdheun tonë. Keni qenë zëri i Kosovës kudo në botë”, ka theksuar Haxhiu në mesazhin e saj drejtuar bashkatdhetarëve.

Lexo më shumë  Habit Abdixhiku, duke nënkuptuar se Përparim Rama nuk është pjesë e LDK-së: Ka qenë kandidat i pavarur

Ajo tutje i ka ftuar ata që të vazhdojnë kontributin për Republikën e Kosovës dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes.

“Regjistrohuni me kohë, ndihmoni njëri-tjetrin, flisni me familjarët, me miqtë, me të rinjtë që kanë lindur jashtë, por që Kosovën e kanë në zemër dhe në mendje”, ka shtuar Haxhiu.

Sipas procedurave të bëra publike nga KQZ, regjistrimi në afatin e paraparë është hapi i parë i domosdoshëm që mërgata duhet ta bëjë për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor.

Lexo më shumë  Banka e Shqipërisë: Bie besimi i bizneseve dhe konsumatorëve në prill, rënie në shërbime dhe tregti

Regjistrimi për të votuar mund të bëhet përmes platformës apo përmes postës, në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Rruga Press

YouTube player