Lajme

Haxhiu për zjarrin në IML: Nuk janë djegur apo dëmtuar mbetjet mortore, arkiva apo mostrat

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se nga zjarri që ka përfshirë këtë të martë objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore nuk janë djegur apo dëmtuar mbetjet mortore e as arkiva apo mostrat e këtij institucioni.

Ajo ka bërë të ditur se për zjarrin është njoftuar rreth orës 08:00 nga drejtori i IML-së, Dritor Haliti.

“Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Lexo më shumë  KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës përfundojnë stërvitjen “Golden Sabre 2024”

“Ekipet e zjarrfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave”.

Ministrja tutje ka thënë se ekipet e forenzikës, ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit.

“Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre. Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndër vite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë, mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë”.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

“Sapo të kemi informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojmë me kohë”, ka përfunduar ajo.

YouTube player