Lajme

Haxhiu për Specialen: Përgjegjës duhet të mbahen ata që ia ndrydhën duart deputetëve kur u themelua

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë të shtunën se përgjegjës për Gjykatën Speciale duhet të mbahen ata që ia ndrydhën duart deputetëve kur u themelua në vitin 2016, e jo Qeverisë aktuale.

Haxhiu këto komente i bëri pasi u pyet se çfarë rezultate pret pas paralajmërimit se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do t’i drejtohet Këshillit të Evropës për rezolutën kundër Dick Martyt, të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë para dy dite.

“Gjykatën Speciale e kanë futur në Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa votat e 2/3 të deputetëve shqiptarë dhe pa 2/3 e votave të komuniteteve. Siç e dini, edhe Lista Serbe është në Kuvend. Ne e kemi gjetur Gjykatën Speciale si fakt të kryer. Përgjegjës nuk mund të mbahemi ne, përgjegjës duhet të mbahen ata që ia kanë ndrydhur duart deputetëve në kohën kur u themelua. Ata janë që po hedhin tym, por duhet të japin përgjegjësi”, ka thënë Haxhiu, e cila shtoi se është ende herët për të thënë nëse rezoluta e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë do të prodhojë ndonjë rezultat.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Haxhiu tregoi se janë duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse për të krijuar një mekanizëm që do ta mbikëqyrë Gjykatën Speciale.

“Ju garantoj se jemi në diskutim me institucionet për ta adresuar këtë çështje. Sepse është e paprecedentë që Gjykata Speciale nuk ka mekanizëm. Ne do të përpiqemi të krijojmë një mekanizëm që ka kredibilitet dhe ka besim qytetari i Kosovës”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.

Haxhiu e mirëpriti votimin në parim të projektligjit për Byron e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme dhe u zotua që secili rekomandim i Komisionit të Venecias të adresohet dhe të shndërrohet në amendament.

“Ne do të jemi pranë grupit punues që t’i ndihmojmë për këtë çështje. Ne kemi interes që të jemi në linjë me demokracitë më të mëdha në botë”, deklaroi Haxhiu.

Haxhiu prezantoi edhe nismat ligjore të miratuara në Kuvend, që siç thotë ajo, do të ndihmojnë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *