Haxhiu: Ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u ndërthurën në një çast përcaktues për Kosovën
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar sot një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës, duke theksuar se 24 marsi i vitit 1999 shënon fillimin e një kthese vendimtare për Kosovën.
“Sot kujtojmë 24 marsin 1999, kur bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, ndërhyrja erdhi si përgjigje ndaj një cikli të dhunës që kishte marrë përmasa të rënda ndaj shqiptarëve të Kosovës. “Si përgjigje ndaj ciklit të dhunës që kishte marrë trajtë gjenocidi dhe politikave të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, 19 vende të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën fushatën ajrore mbi caqet policore dhe ushtarake serbe për 78 ditë”, është shprehur Haxhiu.
Ajo ka theksuar se kjo periudhë përfaqëson një moment kyç për fatin e Kosovës, ku ndërhyrja ndërkombëtare dhe rezistenca në terren u ndërthurën. “Gjatë kësaj periudhe, ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u ndërthurën në një çast përcaktues për Kosovën”, ka theksuar ajo.
Në fund, Kryetarja e Kuvendit ka shprehur mirënjohje për të gjithë kontribuesit në rrugën drejt lirisë. “Nderojmë, me mirënjohje, rolin vendimtar të NATO-s, sakrificën e UÇK-së dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës. Jemi përherë falënderues për mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që nuk na lanë vetëm në momentet më të vështira”, ka përfunduar Haxhiu.
Rruga Press

