Harrohet pandemia dhe masat kur vjen puna te festivalet
Në Shëngjin, prej ditës së nesërme, datës 23 dhe deri më datë 26 shtator do zhvillohet festival me muzikë tekno dhe house.
Askush nuk është kundër festivaleve dhe argëtimit, sidomos mbas dy vitesh të mundimshme në pandemi, ku shumë aktivitete janë të ndaluara dhe të gjithë do të donin të riktheheshin në një jetë pa virus, por rrethanat objektive na diktojnë kujdes të shtuar.
Nga njëra anë kemi ndalim të grumbullimeve, të çfarëdolloj forme qofshin ato dhe në anën tjetër gjatë gjithë verës janë zhvilluar festivale, koncerte dhe ka pasur lokale të tejmbushura. Kjo dyfishësi e qeverisë ngelet problematike.
Këto aktivitete janë zhvilluar kryesisht jashtë kryqytetit, sepse brenda tij masat për një pjesë të lokaleve janë zbatuar, në varësi edhe të lidhjeve specifike të një pronari të caktuar.
Pyetja shtrohet gjithnjë ndaj qeverisë apo komitetit teknik. Për cilët vlejnë këto masa? Kush janë të privilegjuarit dhe pse? A është e drejtë që disa biznese të vegjël të vuajnë dhe disa të vazhdojnë aktivitetin në kapacite të plotë dhe të shkujdesur?
Në faqen e facebookut ku është hapur eventi dhe bëhet njoftimi, nuk përmendet asnjë orë policore, por dhe po të kishte ashtu siç e kemi parë në një festival më herët në Shëngjin, festa ka vazhduar deri në orët e para të mëngjesit, pa ndalim 24 orë.
Ajo çfarë bën përshtypje poashtu, është fakti se pjesëmarrësit munden të bëjnë tamponin falas.
Ndërkohë, pak ditë më parë, një qytetar të cilin e lanë në doganë të presë edhe pse ai kishte bërë tamponin me lekë borxh, nuk e lejuan të kalojë për të shkuar të punojë.
Standartet e dyfishta janë të zakonshme në Shqipëri, por pyetja tjetër vjen, deri kur do vazhdojnë?