Bota

Hapet gjyqi mbi akuzat për mashtrime për Organizatën Trump

Kompania e ish-presidentit Donald Trump, “Organizata Trump” përballet këtë javë me një proces gjyqësor për mashtrim me taksat – në lidhje me atë që prokurorët thonë se ishte një skemë 15-vjeçare nga zyrtarë të lartë të kompanisë për të fshehur përfitime dhe për të shmangur pagesën e taksave.

Prokurorët thonë se për vite me radhë perandoria e pasurive të paligjshme e ish-presidentit ndihmoi drejtuesit e lartë të shmangnin taksat mbi të ardhurat, duke u dhënë atyre përfitime shtesë, si apartamente, për të cilat nuk paguanin qira, si edhe makina luksoze.

Gjyqi fillon sot në Nju Jork me deklaratat hapëse dhe dëshmitë.

Ndër dëshmitarët kryesorë për prokurorët janë ish-shefi i financave i kompanisë Trump, Allen Weisselberg, i cili pranoi fajësinë dhe po ashtu pranoi të dëshmojë në këmbim të një dënimi me pesë muaj burg.

Nëse shpallet fajtore, Organizata Trump mund të gjobitet me më shumë se 1 milion dollarë. Ndonëse shuma e gjobës ëshgtë e përballueshme për kompaninë, dëmi më i madh do të jetë pamundësia në të ardhmen për të siguruar kredi dhe për të hyrë në kontrata të reja. Disa partnerë dhe institucione qeveritare mund të kërkojnë të ndërpresin lidhjet me kompaninë.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

As zoti Trump dhe asnjë nga fëmijët e tij që kanë punuar si drejtues të Organizatës Trump nuk janë akuzuar. Ish-presidenti Trump nuk pritet të dëshmojë apo të marrë pjesë në gjyq.

Gjithsesi ai do të jetë i pranishëm në mënyrë indirekte pasi emri i tij është sinonim i Organizatës Trump, përmes së cilës ish-presidenti menaxhon sipërmarrjet e tij të shumta, përfshirë investimet e tij në fusha golfi, vila luksoze dhe pasuri të tjera të paluajtshme dhe marrëveshjet e tij të shumta të marketingut.

Zoti Trump ka nënshkruar disa nga çeqet mbi të cilat mbështetet çështja. Firma e tij gjendet në shumë dokumente të kompanisë. Dëshmitarët mund të dëshmojnë për bisedat që kanë pasur me të. Ata madje pritet edhe të kenë qasje në librat e llogarive personale të zotit Trump.

Organizata Trump ka thënë se nuk ka bërë asnjë shkelje. Avokatët e kompanisë argumentojnë se zoti Weisselberg dhe drejtuesit e tjerë kishin vepruar individualisht dhe se madje veprimet e tyre e kanë dëmtuar kompaninë financiarisht.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit

Zoti Weisselberg, i cili ka pranuar fajësinë për marrjen e 1.7 milionë dollarëve si kompensim pa i regjistruar, tha se ai dhe drejtues të tjerë të lartë të Organizatës Trump, përfshirë zëvendëspresidentin Jeffrey McConney, ishin individualisht përgjegjës.

Por ai mohon që kompania të jetë dëmtuar, duke thënë se përfitimet e tyre në fakt i kanë kursyer para kompanisë, pasi ajo nuk ka qënë e detyruar t’u jepte atyre kompensime shtesë financiare.

Prokurorët kanë thënë se do të thërrasin 15 dëshmitarë, përfshirë zotin Weisselberg dhe zotin McConney, të cilëve iu dha imunitet i kufizuar vitin e kaluar për të dëshmuar para një jurie të madhe.

Gjyqtari Juan Manuel Merchan parashikon që gjyqi të zgjasë të paktën katër javë, megjithëse një avokat mbrojtës vlerësoi javën e kaluar se vetëm çështja e prokurorisë mund të vazhdojë për dy muaj./VOA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *