Hakmarrje! Rtv Ora gjobitet 500 milion lekë si presion
Katër muaj pas konfiskimit të RTV Ora me një proces absurd ku gjykata nuk njeh as eksperten që vendosi vetë, tjetër sulm ndaj televizionit.
Me një të rënë të lapsit vendoset gjoba me 500 milionë lekë, kur aktiviteti administrohet nga vetë shteti. E për këtë është vendosur si argument rivlerësimi i pagave të gazetarëve të një viti aktivitet.
Në shkresë ndër të tjera argumentohet se rrogat e punonjësve të intervistuar nuk janë në nivelin e mesatares së tregut.
Pra nga njëra anë vlerësohet se ka paga më të larta e më tej edhe të ulëta, por në mënyrë të njëanshme, pa referencë të ligjit, kërkohet që rroga të jetë sipas mendimit të tatimorëve.
Edhe pse kjo do të apelohet, efektet psikologjike te gazetarëve dhe presioni i ushtruar detyron një medie të shkojë drejt mbylljes, pikërisht në kohën kur kritikat për lirinë e gazetarëve janë në pikiatë.
Madje edhe pyetësori i paraqitur për gazetarët kishte problematika jo vetëm në të dhënat personale, por edhe në formulimin e tij pa përcaktime kohore të paraqitura.
E kur asnjë prej të intervistuarve nuk ka paraqitur problem, rivlerësimi duket se ka qenë i paramenduar. Ashtu siç edhe thuhet në shkresën e Tatimeve, duke kërkuar pagën mesatare për këdo.
Kujtojmë që presioni ndaj RTV Ora nisi në pandemi, kur në maj të vitit 2020 ishte Inspektorati Shtetëror Shëndetësor që kërkoi mbylljen e televizionit në mënyrë absurde për shkelje të rregullave kur edhe kafenetë ishin hapur.
Më tej ishte muaji gusht i po të njëjtit kur policia me maska mësyu në ambientet e televizionit, duke vijuar me procesin e sekuestrimit e më tej të konfiskimit.
Shenjat e sulmit tashmë vijuan edhe me Tatimet, kur ligji e shpreh qartë formën e komunikimit të institucioneve me administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara./ Ora news
Rruga Press