Hajdari: Numri i turistëve në Kosovë në 4 vjetët e fundit është rritur për 50 për qind
Numri i turistëve në Kosovë katër vjetët e kaluar ka shënuar rritje 50 për qind, krahasuar me periudhën 2017–2020, tha ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë, Rozeta Hajdari në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2025”, që u hap në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
“Si një shtyllë kyçe e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së qëndrueshme, turizmi ka rolin themelor në lidhjen e njerëzve dhe kulturave në rajon dhe botë. Vetëm në këtë mandat kemi rritje prej 50% të numrit të turistëve krahasuar me vitet 2017–2020. Këto bashkëpunime ndërkombëtare dhe organizimi i ngjarjeve promovuese kanë ndikuar në rritjen e dukshme të turizmit në vend dhe në përmirësimin e imazhit të Kosovës. Bukuritë natyrore duhet të ruhen për gjeneratat e ardhshme, duke ofruar përvoja mbresëlënëse për të huajt,” tha Hajdari.
Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, tha se viti i kaluar u mbyll me një rritje prej 36.8 për qind në turizëm dhe shprehu pritjet që edhe ky vit të jetë i suksesshëm.
“Filluam me 60 kompani para katër vjetësh, ndërsa sot kemi mbi 340 biznese nga 16 shtete. Sot kemi përfaqësues edhe nga Kanadaja, Austria dhe Norvegjia. Vitin e kaluar e përmbyllëm me një rritje 36.8 për qind në turizëm. Synojmë që edhe ky vit të jetë vit suksesi dhe të shënojë rritje të mëtejshme. Panairet janë pika takimi që lidhen drejtpërdrejt me mundësinë e bashkëpunimit. Për të ndërtuar një turizëm të qëndrueshëm, ndikimi i tij në ekonominë e vendit është shumë i madh,” tha Hoti.

Rruga Press