Opinion/Aktualitet

Guximi i paskrupullt për propagandë – A shuhen zjarret në Shqipëri duke postuar helikopterë që shuajnë flakët në ShBA?

Nga Lutfi Dervishi

Një video e një helikopteri që shuan zjarr me precizion në SHBA shitet si aksion në Shqipëri, shoqëruar me hashtagun #nëkryetëdetyrës dhe, sigurisht në krah është flamuri kombëtar shqiptar.

Një turiste australiane habitet kur Ministria e Shëndetësisë e merr rastin e saj dhe e kthen në lajm kombëtar me tone shumë pozitive. Turistja, që e gjeti veten në Google, jo vetëm nuk kish kërkuar publicitet, por madje ndihma i erdhi pasi foli me pronarin e bujtinës, ndërkohë që nuk u mor dot vesh me numrin e urgjencës 112.

Është bërë pothuaj rutinë që bukuritë natyrore të Shqipërisë, sidomos ato ku ende nuk ka mbërritur dora e “investitorëve strategjikë”, të paraqiten si arritje të qeverisë. A thua se malet, lumenjtë, deti dhe kanionet janë vepra publike të përfunduara në këto mandate të qeverisë dhe jo dorë e Perëndisë.

Një deputete postonte këto ditë të nxehta videon e vizitës te një pensionist, që sipas saj kishte nevojë për të bërë pazarin. Deputetja kishte menduar edhe për vapën: i kishte çuar disa birra të ftohta. Kamera, natyrisht, hyri krejt rastësisht, bashkë me birrat në shtëpinë e pensionistit.

Lexo më shumë  Nga arrestimi i Agasit te klani Balluku - Pse Rama ndërroi Ministrin e Brendshëm

Nuk di a ka mbetur kush pa u bezdisur nga inspektimet e famshme në kantieret ku, sipas videove, punohet gjithmonë “me ritme të larta”, por nuk kuptohet pse rruga nuk mbaron kurrë.

Çfarë fitohet nga kjo propagandë e shfrenuar, e shëmtuar dhe tashmë shumë bajate? A shuhen zjarret në Shqipëri duke postuar helikopterë që shuajnë flakët në SHBA? A funksionon më mirë urgjenca kur historia e një turisteje kthehet në propagande? A përfundon më shpejt një rrugë po ta inspektosh dhjetë herë?

Guximi për propagandë po ia kalon edhe guximit të ushtarit të mirë Shvejk. Në fakt guximi i Shvejkut, ishte brenda parametrave të pranueshëm.

Është një propagande që ka kohë që përpiqet jo vetëm të zbukurojë realitetin, por edhe ta zëvendësojë atë

Lexo më shumë  Kur Kurti shpallet më i keq se pushtuesit: Deri ku mund të shkojë Baton Haxhiu?

Por ndonjëherë realiteti nuk pret gjatë për t’u hakmarrë.

Vetëm 24 orë pasi ministri i Brendshëm dhe ai i Turizmit garantonin në video siguri maksimale për turistët dhe pushuesit, në Sarandë e Ksamil, pasuan dy ngjarje të rënda.

Është interesant se sa më pak punë ka për të treguar, aq më shumë rritet propaganda

Nuk është e tepërt të kujtosh thënien e Chomskyt: “Propaganda është për demokracinë ajo që kërbaçi është për shtetin totalitar”

Është koha që qeveria të kujtohet se shumë prej problemeve që sot i paraqet si beteja, kantiere apo sfida të reja premtoi t’i zgjidhte në katër vitet e para. Tani është në mandatin e katërt.

Pas kaq vitesh, #nëkrye të detyrës duhet të tregojë se çfarë punësh ka bërë qeveria dhe jo Natyra!

Rruga Press

YouTube player