KryesoreLajme

Gurvenatori i BQK-së: Në Bruksel s’e kemi negociuar Rregulloren, vetëm kemi informuar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë se në takim me përfaqësuesit serbë kanë informuar për mundësitë që ofron Rregullorja e re e BQK-së për transferim të mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë.

Sipas tij, kjo rregullore mundëson transferimin e fondeve në mënyrë legale, përmes kanaleve bankare në llogari të përfituesve në euro.

“Diskutimi ka qenë lidhur me propozimin tonë që kohë më parë ja kemi dërguar Bankës Qendrore të Serbisë, ku kemi shprehur gatishmërinë që të lehtësojmë një prej zgjidhjeve që ekzistojnë për transferimin e mjeteve. Askush nga BE-ja nuk e ka vënë në dyshim mandatin dhe autoritetin e BQK-së për ta rregulluar këtë çështje apo mënyrën se si e ka rregulluar, por sigurisht brengat që i ka paraqitur është ndikimi në një komunitet të caktuar”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Ministri Sveçla: Parcela në perimetrin e sigurisë së stacionit policor në Jarinjë doli pronë e Veselinoviqit, Berat Buzhalës dhe ish-ambasadorit në ShBA

Ai ka thënë se BQK-ja nuk ka negociuar dhe nuk ka qenë e përfshirë në proces të negocimit.

Sipas tij, ata vetëm kanë informuar gjerësisht për Rregulloren dhe ndikimin e saj pozitiv për ekonominë e vendit.

“Me udhëzimin e BE-së ne u takuam edhe me delegacionin teknik nga Serbia. Nuk ka pasur prezencë politike në takim. Ne kemi dhënë kontributin tonë që të kuptohet drejtë nga Bashkimi Evropian. Po ashtu edhe zgjidhjet teknike janë të mundshme dhe të zbatueshme pa asnjë ndryshim të asnjë rregullative ligjore. Në këtë mënyrë ekziston mundësia që qytetarët serbë të pranojnë ndihmën nga Serbia nëse ajo vendos t’i transferojë ato”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se çështja e dinarit nuk ka qenë çështje e diskutimit, por është diskutuar Rregullorja në tërësi.

Lexo më shumë  Aksioni i Policisë në veri, armët e sekuestruara dhe deklarata e ministrit Sveçla

Ismaili ka thënë se BQK-ja nuk negocion me asnjë palë të jashtme as të brendshme rregullimin e saj monetar dhe financiar.

Sipas tij, nuk është pritur të negociohet, por të argumentohet zgjidhja.

“Zgjidhja ekziston dhe funksionon, përmes zgjidhjes teknike që nënkupton transferimin mes dy shteteve, pra transferimin e mjeteve nga Serbia në Kosovë përmes kanaleve zyrtare. Edhe ky takim më shumë është bërë për shkak të nevojës për t’u sqaruar sesa ka pasur nevojë të ndodhë. Ne edhe pse kemi pritur që Banka Qendrore e Serbisë të jetë prezent, si duket delegacioni i tyre përmes Ministrisë së Financave e ka mbuluar këtë çështje. Ne si BQK e kemi përfunduar punën tonë dhe është në dorën e dërguesit të mjeteve se cilin opsion të ligjshëm ta përdorë”, ka thënë Ismaili.

YouTube player