Lajme

Guri i Nanës Pashke përfundon në mbeturina

Guri përkujtimor i Pashke Markut – nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të djemve të saj të vrarë e të djegur nga kriminelët serbë – është hedhur në mbeturina, pavarësisht reagimeve të shumta në publik kur guri u hoq nga vendi i tij javën e shkuar. Guri është hedhur në mbeturinat në hyrje të Gjakovës, përballë varrezave të qytetit.

Familjarët kanë thënë për KOHËN se u qëndrojnë prapa fjalëve të thëna me rastin e heqjes së gurit nga pronari i tokës.

“Mbetet në përgjegjësinë e institucioneve”, ka thënë Liridon Marku, nipi i Nanës Pashke.

Guri përkujtimor i Pashke Markut u hoq javën e shkuar. Lajmi u bë fillimisht i ditur nga studiuesi e shkrimtari Ag Apolloni, ndërsa më pas qe konfirmuar nga familjarët e Markut.

Studiuesi Ag Apolloni ka reaguar edhe të premten për hedhjen e gurit në mbeturina. Ai ka thënë se pronari i tokës e ka hedhur “historinë në plehra”.

Lexo më shumë  Ndahen mbi 690 mijë euro për ndërtimin e rrugës që shpie tek “Ujëvara e Mirushës”

Sipas tij, pronari mund të ndihet krenar e fitimtar sepse “nuk mundi ta ndalë askush: as Qeveria, as qytetarët”.

“Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se disa fitore janë më të turpshme se humbjet. Kjo e tij është e tillë. Hasan, ke hedhur në plehra një gur që na e përkujtonte një tragjedi të madhe, një gur që dëshmonte për krimet serbe. Duke e hequr një dëshmi të tillë, ke bërë një gabim të pafalshëm”, ka shkruar Apolloni në Facebook.

Ministria e Kulturës pati njoftuar se ka dërguar autoritetet në vendngjarje, ndërsa të premten KOHA është në pritje të një përgjigjeje se çka ka ndodhur me rastin. Të kontaktuar nga KOHA, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë, përgjegjësinë ia kanë bartur Agjencionit të Memorialeve të Kosovës. Nga ky agjencion kanë thënë se “do të dalin me qëndrim së shpejti”.

Lexo më shumë  Osmani thotë se Serbia po e ndihmon Rusinë të hapë një front të ri kundër Perëndimit

Policia pati njoftuar se nuk është iniciuar rast.

Pronari i tokës, që jeton jashtë vendit, nuk është lajmëruar në thirrjet në telefon.

Pashke Markut i ishin vrarë dy djem në fund të prillit të 1999-s. Trupat e tyre ishin gjetur në varreza masive nëpër Serbi. Më 27 maj 2003, Nana Pashke ia vuri flakën vetes pasi konsideronte se duhej të digjej edhe ajo.

Rruga Press

YouTube player