Lajme

Grupimi i majtë evropian pezullon partinë e Lajçakut dhe antarëson VETËVENDOSJEN e Albin Kurtit: Qëndrimet e partisë SMER në lidhje me luftën ruse kundër Ukrainës nuk kanë vend në familjen progresive

Partia e Socialistëve Evropianë të enjten pezulloi partinë fituese të zgjedhjeve të Robert Fico-s “Smer” (Drejtimi) dhe partinë “Hlas” (Zëri) të Peter Pellegrinit, e cila të mërkurën njoftoi se do të formonin një qeveri në Sllovaki.

Miroslav Lajçak, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, shërbeu si Ministër i Jashtëm i Sllovakisë nga viti 2012 deri në vitin 2020, gjatë qeverisjes së partisë së tij Smer, e cila aktualisht akuzohet për shndërrim nga parti e majtë në përkrahëse të politikave radikale të djathta, duke flirtuar politikisht me presidentin rus Vladimir Putin, kundër vlerave dhe qëllimeve të Bashkimit Evropian.

Po ashtu, Lëvizja VETËVENDOSJE! e Albin Kurtit u pranua si anëtare në Partinë e Socialistëve të Evropës, grupimin e dytë më të madh të majtë evropian, që përbën një hap të rëndësishëm për gjetjen e mbështetjes evropiane në realizimin e mëtejmë të programit social-demokrat të kësaj partie.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

“Ky hap është ndërmarrë pas divergjencës së qartë nga vlerat e familjes PES të demonstruara nga udhëheqësi i Smer-SD Robert Fico. Dhe gjithashtu, si rezultat i shqetësimeve të ngritura pas shpalljes së një koalicioni qeveritar mes Smer-SD, Hlas-SD dhe një partie radikale të djathtë”, thuhet në njoftimin për shtyp.

“Komentet dhe qëndrimet e fundit publike të marra nga drejtuesit e partive SMER dhe HLAS në lidhje me luftën ruse kundër Ukrainës, emigrantët, sundimin e ligjit, këto kanë ngritur shqetësime serioze dhe nuk kanë vend në familjen progresive”, vijon të thuhet në njoftimin për shtyp të grupit.

Një takim i presidencës së PES e bëri njoftimin një ditë pasi të dy partitë njoftuan një marrëveshje për formimin e një koalicioni qeverisës në Sllovaki, së bashku me Partinë Kombëtare Sllovake populiste të djathtë.

Lexo më shumë  Dëshmitë e krimit: Kosova bëhet me muze të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Smer fitoi 23 përqind në zgjedhjet e 30 shtatorit në Sllovaki, ndërsa Hlas përfundoi në vendin e tretë me 14.7 përqind.

Zgjedhja e tre herë ish-kryeministrit Fico ka ndezur këmbanat e alarmit në Bruksel pasi ai deklaroi se Sllovakia do t’i japë fund mbështetjes ushtarake për Ukrainën dhe kritikoi sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

Vendimi i PES për të pezulluar partinë e Lajçakut vjen si afirmim i shqetësimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit i cili është shprehur për qasje të pabalancuar të emisarit Lajçak, duke i dhënë përkrahje Serbisë në synimet e saj për të dëmtuar shtetësinë e Kosovës, me një Asociacion që instalon një “Republika Serpska” të re në Kosovë, si instrument i Serbisë dhe Rusisë në rajon për të çuar përpara qëllimet hegjemoniste, kundër vlerave që mbështet dhe promovon bashkësia ndërkombëtare perëndimore.

© Rruga Press

YouTube player