GROENLANDA/ Liderët evropianë kundër Trumpit
Tetë nga udhëheqësit kryesorë të Europës janë rreshtuar për të mbrojtur territorin autonom danez të Grenlandës, mes kërcënimeve në rritje nga administrata e presidentit Donald Trump se Shtetet e Bashkuara mund të marrin nën kontroll ishullin arktik të pasur me minerale.
Në një deklaratë të përbashkët, liderët europianë theksuan se siguria e Grenlandës duhet të garantohet në mënyrë kolektive nga NATO dhe me respekt të plotë për vullnetin e popullit të saj.
“Siguria në Arktik duhet të arrihet në mënyrë kolektive, në bashkëpunim me aleatët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke respektuar parimet e Kartës së OKB-së, përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve”, thuhet në deklaratë, e publikuar disa orë pasi Trump tha se Uashingtoni “ka nevojë” për Grenlandën.
Deklarata u nënshkrua nga kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen, presidenti i Francës Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz, kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kryeministri i Polonisë Donald Tusk. Ajo u mbështet gjithashtu nga udhëheqësit e Holandës, Greqisë, Luksemburgut dhe Sllovenisë.
Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, deklaroi se mbështet thirrjen e Frederiksen për “respekt të sovranitetit mes aleatëve të NATO-s”, duke shkruar në një postim në rrjetet sociale: “Perëndimi është më i fortë kur qëndron i bashkuar dhe punon së bashku, jo kur përçahet”.
Qeveria e Grenlandës kërkoi të martën një takim urgjent me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të diskutuar ato që i quajti deklarata “të rëndësishme” të SHBA-së lidhur me vendin arktik.
Më herët gjatë së martës, Frederiksen u takua me kryeministrin e Kanadasë Mark Carney për të diskutuar sigurinë në Arktik, duke theksuar se vlerësonte “mbështetjen e fortë të Kanadasë për Mbretërinë e Danimarkës në situatën aktuale”.
Ky demonstrim mbështetjeje vjen pasi Trump i dyfishoi pretendimet e tij ndaj territorit të administruar nga Danimarka, pas një operacioni amerikan për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Të hënën, zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, vuri në dyshim pretendimin e Kopenhagenit mbi territorin, por refuzoi të sqarojë nëse Shtetet e Bashkuara mund të përdorin forcë për të arritur objektivat e tyre. Trump ka akuzuar gjithashtu Danimarkën se ka bërë shumë pak për të garantuar sigurinë e Grenlandës. “Ata shtuan edhe një slitë qensh”, tha Trump duke iu referuar masave të danezëve pë sigurinë.
Në përgjigje, liderët europianë deklaruan: “NATO e ka bërë të qartë se rajoni i Arktikut është një prioritet dhe aleatët europianë po rrisin angazhimin. Ne dhe shumë aleatë të tjerë kemi shtuar praninë, aktivitetet dhe investimet tona për ta mbajtur Arktikun të sigurt dhe për të frenuar kundërshtarët. Mbretëria e Danimarkës, përfshirë Grenlandën, është pjesë e NATO-s”.
“Grenlanda i përket popullit të saj. Janë Danimarka dhe Grenlanda, dhe vetëm ato, që vendosin për çështjet që lidhen me Danimarkën dhe Grenlandën”, përfundon deklarata, e publikuar në një moment kur rreth 40 liderë dhe zyrtarë të lartë të BE-së janë mbledhur në Paris për bisedime mbi përfundimin e luftës në Ukrainë.
Frederiksen paralajmëroi të hënën se një pushtim amerikan i Grenlandës do të shënonte fundin e NATO-s./Politico.eu
Rruga Press

