Gripi i shpendëve. Konfirmohet vatër e re në Vlorë
Një vatër e re infeksioni me gripin e shpendëve është identifikuar në 24 orët e fundit në qarkun Vlorë. Zv/Ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci deklaroi ditën e sotme në një konference për mediat se në 24 orët e fundit rasti i ri është konfirmuar në qarkun Vlorë fshati Aliban. Ajo shtoi se nuk janë konstatuar shkelje apo problematika. Ministria ka marrë zotim nga bashkitë për bashkëpunim të plotë në lidhje me marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura të pamiratuara për shitje.
DEKLARATA:
Në lidhje me situatën e gripit të shpendëve në vendin tonë, vazhdon monitorimi i kujdesshëm në të gjithë territorin e vendit nga AKVMB. Në 24 orët e fundit kemi pasur një rast të ri të konfirmuar nga ISUV në qarkun Vlorë, fshati Aliban. AKVMB vazhdon kontrollet në ferma me drejtim prodhimtari vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e vendit. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika. Kemi marrë zotim nga bashkitë për bashkëpunim të plotë në lidhje me marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura të pamiratuara për shitje në zbatim të urdhrit Nr.131, datë 25.3.2022 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”.
Në 24 orët e fundit: Kemi një rast të ri të konfirmruar, Kemi një vatër të re infeksioni në qarkun Vlorë. Nuk kemi asnjë stabiliment me drejtim prodhim për mish të infektuar. Jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjithë territorit. Vazhdojmë fushatën sensibilizuese për informimin e fermerëve mbi evidentimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara. Konsumatori shqiptar është e rëndësishme të ndihet i sigurt, se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licensuara janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius.
Rruga Press