Grida Duma dorëhiqet nga PD-ja, akuzon Bashën për dështim
Grida Duma ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së Partisë Demokratike në Shqipëri, duke akuzuar për dështim në zgjedhjet e pjesshme lokale, kryetarin e kësaj partie, Lulzim Basha.
Në një shkrim në Facebook, ajo ka akuzuar Bashën se humbjet e njëpasnjëshme po i përdor që t’i kthejë në fitime të tij.
Ajo ka thënë se qëndrimi i Bashës në krye të PD-së kërkon vendimmarrje për shpëtim të demokratëve
“Partia Demokratike e Shqipërisë është në ditët më të vështira, traumat e humbjeve të njëpasnjëshme nuk po rikuperohen sepse Lulzim Basha i përdor dhe negocion që dështimet e Partisë Demokratike t’i kthehen në fitime të tij. Pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi me maturi politike të ndërmarrë akte të përgjegjshme dhe të japë dorëheqjen, Lulzim Basha përdori një pakicë të zhgënjyerish për të goditur deputetët, më të votuarit dhe më përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Fakti që Lulzim Basha nuk largohet edhe pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi dorëheqjen na kërkon të gjithëve vendimmarrje për shpëtimin e demokratëve të sakrifikuar një dekadë. Megjithëse personalisht nuk kam asnjë përgjegjësi në vendimmarrje dhe ia kam shkruar e lënë të dokumentuara vendimet e dëmshme sot deklaroj që jap dorëheqjen si Nën/Kryetare e Partisë Demokratike, duke qenë ky vetëm një prej vendimeve të domosdoshme për demokratët”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Partia Demokratike nuk mund të jetë humbëse se duhet që dështaku të fitojë e përfitojë!” ka shtuar ajo.
PD-ja po kalon në krizë të thellë rezultatesh në Shqipëri qe një kohë të gjatë. Vitin e shkuar ajo u përça pasi Basha largoi nga grupi parlamentar ish-kreun e PD-së, Sali Berisha, për shkak të shpalljes “non-grata” nga SHBA-ja. Berisha me një pjesë të strukturës rinisën tubime për shkarkim të Bashës, ndërsa përçarja çoi edhe në përplasje fizike me Policinë, para zyrave të PD-së.
Rruga Press