Lajme

Greqia pengon rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

Greqia ka marrë masa pas kërcënimeve disamujore për ta penguar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Euroactiv” ka raportuar se ky shtet ka refuzuar nënshkrimin e një letre të 27 shteteve anëtare drejtuar Komisionit Evropian, e që kërkon hapjen e pesë kapitujve të parë në proces.

Tensionet mes Greqisë dhe Shqipërisë janë përshkallëzuar që prej majit, kur kandidati për kryetar bashkie nga pakica greke, Fredi Beleri, i cili garoi për Himarën, u arrestua vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve lokale, nën dyshimet për blerje votash. Beleri i fitoi zgjedhjet, por nuk ka mundur të betohet si kryebashkiak, për shkak të burgosjes, pavarësisht apeleve të shumta për t’u lejuar të betohet, ose për të përfituar një masë më të butë sigurie.

Athina vazhdimisht i ka kërkuar Tiranës ta lejojë Belerin të betohet, duke e quajtur burgosjen e tij të nxitur politikisht dhe mbi baza etnike. Qeveria shqiptare është përgjigjur se nuk mund të ndërhyjë në procese gjyqësore dhe se sistemi i drejtësisë duhet lejuar të punojë i pavarur.

Lexo më shumë  Kurti kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Gjatë fundjavës, qarkulluan fjalë se Athina kishte refuzuar të mbështeste një letër ku Komisionit i kërkohej hapja e pesë kapitujve të parë të negociatave. Një burim në dijeni të çështjes në Këshillin e BE-së i konfirmoi “Euractivit” se kjo është e vërtetë.

Sipas burimit, Athina thekson disa çështje që i takojnë sundimit të ligjit, si rasti i Belerit, ashtu edhe zbatimi i disa ligjeve që lidhen me pakicën greke të Shqipërisë. Burimi thekson se pala shqiptare duhet të tregohet “kreative” në zgjidhjen e krizës së krijuar nga çështja Belerit. Athina zyrtare kërkon që Beleri të lejohet të betohet si kryebashkiak, pasi ky është një vendim administrativ që mund të merret nga Qeveria shqiptare, ndërsa sistemi i drejtësisë merr vendimet e veta në mënyrë të pavarur.

Procedura të tjera si martesat, deklarimet dhe marrëveshjet mund të merren në prani të një noteri apo një zyrtari në ambientet e burgut, ose nëse individi dërgohet në ambientet e institucioneve, nën mbikëqyrjen e policisë.

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha, gjithashtu nën hetim, ka deklaruar se arrestimi dhe gjyqi i Belerit janë inskenuar nga policia dhe gjykata. Ai ka thënë se pas këtij rasti është Rama dhe kjo “ka çuar në një përballje me fqinjët tanë”, duke iu referuar marrëdhënieve të tensionuara.

Së fundmi, Kryeministri Rama, në një intervistë për podcastin “Inside Albania”, përsëriti se situata nuk është në dorën e tij dhe ai nuk mund të ndërhyjë kurrsesi.

YouTube player