Grenlanda dënon vizitat e planifikuara të zyrtarëve të lartë amerikanë
Politikanët e Grenlandës kanë dënuar planet për vizita të profilit të lartë nga SHBA-ja, në vazhdën e kërcënimeve të presidentit Donald Trump për të marrë nën kontroll ishullin.
Zonja e dytë e SHBA-së, Usha Vance do të bëjë një vizitë kulturore këtë javë dhe një udhëtim i veçantë pritet nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Trumpit, Mike Waltz, raporton BBC.
Kryeministri në largim i Grenlandës, Mute Egede i ka përshkruar planet e vizitave si agresive, dhe ka shtuar se dyshja nuk ishte ftuar për takime.
Grenlanda, ishulli më i madh në botë, i vendosur midis Oqeanit Arktik dhe Atlantikut, është kontrolluar nga Danimarka, e cila ndodhet gati 3,000 km larg, për rreth 300 vjet.
Ishulli rregullon punët e tij të brendshme, por vendimet për politikën e jashtme dhe të mbrojtjes merren në Kopenhagë. SHBA-ja ka pasur prej kohësh një interes për sigurinë, dhe ka pasur një bazë ushtarake në ishull që nga Lufta e Dytë Botërore.
Mendohet gjithashtu se Trumpi është i interesuar për mineralet e rralla të tokës së ishullit. Djali i tij Donald Jr ka vizituar Grenlandën përpara inaugurimit të Trumpit në janar.
Duke njoftuar vizitën e zonjës Vance, Shtëpia e Bardhë ka thënë se zonja e dytë do të vizitojë vendet historike dhe do të marrë pjesë në Avannaata Qimussersu, garën kombëtare të qenve të Grenlandës.
“Delegacioni i saj, përfshirë djalin e saj, do të jetë atje për të festuar kulturën dhe unitetin e Grenlandës”, thuhet në një deklaratë.
Ndërkaq udhëtimi i Waltz është koonfirmuar nga një burim i cili ka folur për CBS News.
Kryeministri në largim Egede e ka përshkruar vizitën e Waltzit në veçanti si një provokim.
“Çfarë po bën këshilltari i sigurisë në Grenlandë? Qëllimi i vetëm është të na tregojë një demonstrim fuqie”, i ka thënë ai gazetës Sermitsiaq.
Rruga Press