Gomarët e mëdhaj të vëllait të madh
Nga Agim Morina
Veç mendojeni: qysh mundet një televizion me emisione bërllok me u ba tëheqës? Me shpjegu Gilgameshin? Nuk din. Me qartësu Aristotelin? S’e ka haberin. Me kallxu qysh Eratosteni e ka matë perimetrin dhe peshën e Tokës para 2500 vjetësh? S’ka ndëgju kurrë. Me u marrë me gjithësinë? Me folë për librin e parë shqip? Për luftat e Skenderbeut? Për Danten? Shakespearein? Pikturat e Da Vincit? Ose duhet me pasë gazetarë fort të ngritun, ose duhet me pagu ekspertë. E ata nuk vijnë falas, as me pagesë të ulët. Masandej, me emisione cilësore, shikuesit bahen gjithnjë e ma të mençëm dhe shija e tyne mprehet gjithnjë e ma shum. Kjo pastaj kërkon investime gjithnjë e ma të mëdha në cilësi e teknikë.
Atëherë, për me mbërritjtë deri te parja, duhet me i ra shkurt. Si ia del, pra, kësaj një televizion bërllok? Me drejtorë, redaktorë, gazetarë bërllokë?
E kthen një masë të gjanë njerëzish në kope për konsum të gjanë të bërllokut informativ. E kjo nuk bahet dot pa kriju “skandale” të parapërgatituna: puthje “të drejpërdrejta”, zhveshje “pa dashje”, shamje e poshtnime “të paprituna” dhe në fund, mbasi asht mbledhë një masë e mjaftueshme hajvanati, shpërthen dhuna: një shqelm i shëndoshë bythës, një grusht hundëve apo edhe një “shpullë e fuqishme”, me kamerën që asht mbrapa shpinës së atij që godet. Kjo masandej merr edhe përmasa tragji-komike turbopatriotike: qysh Shqipnia i paska ra shpullë Kosovës! Si asht e mundun që dy palaço me u ba përfaqësues shtetnorë në një emision bërllok të një televizioni bërllok!?
Dhe plas gjirizi që televizioni ka synu me aq mund. Me plasë një shishe parfumi i erandshëm, pak njerëz arrijnë t’i marin erë, sepse një shishe e vogël parfumi asht tepër e shtrenjtë dhe kur thehet avullohet shpejt. Si çdo cilësi tjetër. Ama kur shpërthen gjirizi gjithë kryeqyteti e merr vesh dhe i merr erë. Dikush në fillim i mbyll hundët, i vjen të ndohtë, por mbasi kurrkush nuk merr masa me e mbyllë gjirizin, – ashtu si me çdo gja – njerëzia mësohen. Mësohen edhe me erën e mutit e të shurrës që vërshon rrugëve e lagjeve. Derisa për parfumin pak njerëz dijnë, për gjirizin nisin e flasin që të gjithë. Dikur njerëzit bile harrojnë se ka pasë edhe erë parfumi dhe fillojnë me ba klasifikimin se cila pjesë e qyteti ka erën ma të randë e cila ma të lehtë të jashtëqitjeve e jo se era e gjirizit asht e padurueshme. Dhe, doemos, dikur shpërthen kolera e murtaja informative: askush nuk din se ku asht kufini i marrëzisë dhe i shfrenisë kolektive. Natyrisht, si me murtajën biologjike, ashtu edhe me murtajën informative, shumica e pëson, por dikush mrekullisht shpëton. Por jo pa vurratat e murtajës që i mbeten përgjithmonë.
Pyetje kryesore që shkridhet në këtë gjueti për sa ma shum shikues asht: a asht krejt ajo që shfaqet në emisone e vërtetë? A ndodhi vërtet goditja me shpullë? Apo ishte aktrim, njëfarë inskenimi: të goditej pak, sa të duket se u godit, por të paguhet mirë, me randësi le të shkaktojë një zhurmë të madhe që të tërheqë vëmendjen masive.
Pse me ndodhë kjo? Kthehemi te fillimi: me çfarë mundet me tërheqë vëmendjen një televizon bërllok? Me emisione bërllok që janë të mbushuna me akte skandaloze. Nëse shpulla asht ajo që tërheq vëmendjen masive, pse mos me ba edhe këtë lojë? Synimi i televizonit bërllok asht me tërheqë sa ma shum shikues-gomarë. Në epokën digjitale sa ma shum shikues domethanë po aq të ardhuna financiare. Në epokën digjitale koha jonë, vëmendja jonë, asht pare. Qysh tërhiqet vëmendja ma mirë sesa me gomarllëqe të llojit të Vëllait të Madh. Por, synimi i vetëm i Vëllait të Madh asht me kriju Gomarë të Madhaj e Gomarica të Mëdha që nuk i shkoqitin sytë nga ekrani.
Pronarët e këtyne televizioneve, drejtorët, redaktorët e gazetarët nuk i lanë fëmijët e familjarët e tyne as me iu afru ekraneve televizive gjatë këtyne emisioneve bërllok, sepse e dijnë çfarë kanë prodhu. Cili bashkëshort apo bashkëshorte, cili bir apo bijë e këtyne pronarëve apo redaktorëve ka hy ndonjëherë te Vëllai i Madh? Ata u thojnë familjarëve të tyne jo vetëm të ikin nga emisione të tilla, por të ikin edhe nga Shqipnia e Kosova! Të mos jetojnë këtu sepse këtu s’mund të jetohet! Ndërsa kurrkush ma shum se ata nuk e kanë kthy në ferr botën informative shqiptare për me e ba sa ma të pajetueshme jetën në Shqipni e Kosovë. Për ta në Shqipni e Kosovë i mirë asht vetëm fitimi, parja, lekët, dollarët, eurot, pa marrë parasysh se si e nga vijnë këto pare. Dhe në shtete të dobëta, institucionalisht gjysë të rrënueme, kjo asht një gja krejt e lehtë, vetëm duhesh me u zhveshë prej çfarëdo integriteti moral kombëtar e njerëzor e masandej gjithçka shkon si në voj.
Thjesht, njerëz, thirrini mendjes, po ju manipulojnë një grusht horrash për një grusht paresh të ndyta, për me mujtë me ikë masandej bashkë me familjet diku ku asht ma mirë për ta, tue lanë mbrapa gjirizin e shpërthyem që e kanë kriju po ata.
Ky popull i stërvujtun nuk e meriton këtë.
Rruga Press