Opinion/Aktualitet

Godo Ballkanik

Shkruan Blerim Reka

Në vigjilje të takimit të Bërdos, Reuters citon dokumente të BE-së, të cilat nuk garantojnë se do të ketë zgjerim të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kjo vetëm sa i vërtetoi parashikimet, që nga viti 2010, se pas “zgjerimit të madh”, nuk do të ketë anëtarësime të reja. Pse? Sepse, Brukseli konsideronte se me anëtarësimin e 12 shteteve më 2004, ishte përmbushur caku gjeopolitik për kufirin e qartë të BE-së me Rusinë.

Sipas strategëve të BE-së, në vend të zgjerimit të fundit- gjeopolitik; tash për Ballkanin Perëndimor, duhej aplikuar një proces teknik. Në vend të cakut strategjik, duhej përcjellë implementimi strikt i kritereve (edhe pse ato fare pak ishin përmbushur gjatë zgjerimit paraprak nga disa shtete). Edhe pse BE-ja vazhdimisht flet për peshën gjeopolitike të Ballkanit, bëri pak që ta pranojë rajonin. Fjala zgjerim as që dëgjohet më në Bruksel, e “perspektivës evropiane“ nuk i beson më askush në Ballkan.

Lexo më shumë  Në Beograd rikthehen zyrtarisht Sllobodan Milosheviç dhe Vojisllav Shejshel!

Brukseli mendonte gabimisht, se me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe fundin e luftës së ftohtë kishte përfunduar edhe nevoja për anëtarësime gjeopolitike. Mirëpo, vetëm katër vjet më vonë, Rusia riktheu një luftë të re të ftohtë, me pushtimet e saj në: Gjeorgji (2008), Ukrainë (2014), Siri (2015) dhe shtrirjen e saj ushtarake në Ballkan. Së bashku me ekspanzionin ekonomik të Kinës, një pjesë e Ballkanit ra nën ndikimin e dy fuqive lindore. Po të mos ishte largpamësia e SHBA-së, për anëtarësimin e pjesës tjetër në NATO, Moska e Pekini do të shtriheshin edhe në pjesën tjetër të rajonit.

Për dallim nga NATO-ja që e sheh qartë rrezikun e rikthimit rus afër kufijve evropian nga Baltiku deri në Ballkan; BE-ja nuk i reagoi madje as shtetit me të cilin po negocion anëtarësimin – Serbisë, kur ambasadori rus u përfshi në kërcënimin kufitar ushtarak, kundër një shteti sovran – Republikës së Kosovës.

Prandaj, nuk ka gjasa që takimi i Bërdos të lëvizë status-quon dy dekadëshe të (mos)zgjerimit. Nëse këtë nuk arriti ta bënte vjet presidenca e fuqishme gjermane, vështirë që do të mund ta bëjë sivjet presidenca sllovene. Aq më pak ajo e radhës franceze, në vitin e ardhshëm kur i ka zgjedhjet presidenciale.

Madje, bazuar në një dokument të Brukselit të 27 shtatorit, rekomandohet edhe suspendimi i regjimit të lirë – pa viza në BE, pas shënimeve alarmuese për shtimin e azilkërkuesve nga Moldavia; ndërkaq që Kosovës, nuk iu lejua as ky regjim – pa viza, duke e ngujuar mbi një dekadë brenda kafazit të Shengenit!

Pritet që takimi BE- BP në Bërdo, do të jetë një tjetër deja vu e premtimit të “perspektivës evropiane”.

Edhe një tregim tjetër diplomatik për Godo-n, që do t’u rrëfehet ballkanasve.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *