Opinion/Aktualitet

Goditja më e madhe ndaj sistemit është çmontimi i lidhjes perverse mes politikës, biznesit dhe medias

Nga Klodian Tomorri

Para disa kohësh, kur një nga biznesmenët më të fuqishëm të Shqipërisë u prek nga Covidi, e çuan jashtë shtetit për kurim të specializuar. Sapo lajmi u mor vesh, 4 ministra të rëndësishëm të qeverisë shqiptare i hipën urgjentisht avionit për ta vizituar në spital. Edhe pse dhomat e spitaleve janë përgjithësisht të vogla, delegacioni qeveritar qëndronte i gjithi në tufë anës shtratit ku ishte shtruar biznesmeni, të patrembur fare nga rreziku.

Madje herë pas herë, secili prej tyre i afrohej mbi kokë, sikur përpiqeshin t’i tregonin biznesmenit se ishin të gatshëm të infektoheshin edhe vetë për t’ia lehtësuar sadopak ngarkesën virale. Një biznesmen tjetër, kur e tregon këtë histori e përshkruan me një batutë fantastike; ministrat donin ta ndanin sëmundjen përgjysmë. Ajo skenë në atë dhomë të vogël spitali, sado absurde të duket, është fotografia më e mirë e sistemit, që ka kapur Shqipërinë sot.

Prej disa javësh, gazetarët e studiove televizive të mbrëmjes kanë gjetur një mënyrë për ta vënë në vështirësi Sali Berishën. Të gjithë i përsërisin një pyetje, që doktori energjik nuk arrin t’i përgjigjet dot në stilin e tij. Pyetja është kjo; Kush janë oligarkët në Shqipëri?

Në fakt, kjo pyetje fare e thjeshtë është frika më e madhe e çdo politikani sot në Shqipëri, nga të gjithë krahët e politikës. Përveç Edi Ramës. Sepse shefi nuk ka frikë asnjëherë nga vartësit e tij. E megjithatë emrat e oligarkëve në vetvete nuk janë problemi real. Opozita mund të vendosë një ditë, që të artikulojë publikisht emrat e biznesmenëve të fuqishëm, të cilët kanë përfituar favoret më të mëdha publike nga qeveria e Edi Ramës. Lulëzim Basha për shembull, e bënte herë pas here këtë. Por kjo nuk do të ndryshonte asgjë. Problemi i vërtetë është sistemi.

Lexo më shumë  Serbia - deep state: Kultura e dhunës kundër kulturës së paqes

Sali Berisha dhe Partia Demokratike kanë vetëm një rrugë për të ndryshuar balancën e fuqisë politike në vend; të luftojnë me sistemin. Në çdo skenar tjetër, llogaritë elektorale të opozitës janë defiçitare. Dhe sistemi luftohet vetëm duke sulmuar çdo hallkë të tij.

Duke denoncuar çdo projekt korruptiv, pavarësisht se kush janë përfituesit. Duke u shpjeguar shqiptarëve se sa vidhen, kur qeveria zgjat pa garë afatin e koncesioneve të aeroporteve, minierave, dhe çdo pasurie tjetër publike. Duke denoncuar çdo koncesion rruge me kosto të fryra, pavarësisht se kush është koncesionari.

Duke dërguar në Kushtetuese jo vetëm Portin e Durrësit, por dhe atë të Vlorës e Sarandës. Duke u treguar shqiptarëve se sa para u vidhen kur qeveria fal plazhin e Gjeneralit, apo çdo metër tjetër bregdet për ndërtim vilash.

Lexo më shumë  Serbia - deep state: Kultura e dhunës kundër kulturës së paqes

Por goditja më e madhe ndaj sistemit është ajo ndaj shtyllës së tij. Çmontimi i lidhjes perverse mes politikës, biznesit dhe medias. Dhe opozita do të duhet t’u japë qytetarëve një alternativë të besueshme se si do ta shkatërrojë këtë aleancë.

Por a e ka ajo fuqine ta beje kete. A mundet dikush qe eshte pjese e siistemit ta sulmoje ate? Eksperienca ka treguar që po. Gjithmone nëse ekziston vullneti.

Donald Trump ishte pjesë e sistemit në SHBA, madje një nga më të përkëdhelurit e tij. Por ai i fitoi zgjedhjet vetëm pasi sulmoi sistemin dhe elitën që e kontrollonte atë. Madje, duke arritur deri aty sa të sulmonte dhe veten, kur deklaronte publikisht se i kishte shmangur taksat, pasi ishte sistemi i ndërtuar elita e korruptuar e Uashingtonit, që ja lejonte këtë.

Pra, Sali Berisha dhe opozita kanë vetëm një rrugë. Duhet të sulmojnë veten. Nëse e bëjnë këtë, atëherë sigurisht që do ta kenë më të lehtë për të bindur shqiptarët. Nëse nuk e bëjnë, Partia Demokratike rrezikon të asgjësohet. Por fati i PD-së është gjëja më e parëndësishme në të gjithë këtë. Ky sistem, po nuk u çmontua do të asgjësojë Shqipërinë. Siç ka nisur ta bëjë ndërkohë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *