Bota

‘Global Gateway’ – plani gjigant infrastrukturor kundër ndikimit kinez në BE

Me një kaskadë investimesh në vendet e varfra, Komisioni Evropian kërkon t’i bëjë konkurrencë serioze Kinës. “Global Gateway” e Bashkimit Evropian do të jetë më atraktive se “Rruga e Re e Mëndafshit” që ka filluar Kina.

Deri në 300 miliardë euro kërkon të mobilizojë Bashkimi BE-në në pesë vitet e ardhshme për të investuar në projekte infrastrukturore në të gjithë botën, sidomos në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine. “Global Gateway” quhet inicativa e re botërore dhe përmban një shumë më të madhe parash për investime se sa ishte bërë e ditur.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen personalisht do të kujdeset për këtë program investimesh, i cili do të jetë në alternativë mbi bazën e vlerave demokratike kundrejt projektit kinez të njohur si “Një brez, një rrugë”.

“Ne tregojmë, se drejtojmë vështrimin jashtë për të mbështetur investime kudo në botë. Te këto projekte bëhet fjalë për transparencë dhe mirëqeverisje”, tha von der Leyen gjatë prezantimit të programit “Global Gateway” në Bruksel.

KE-ja kërkon të zmbrapsë influencën në rritje të Kinës, megjithëse nuk e përmend këtë shprehimisht.

“Përmes kësaj oferte të një zgjerimi pozitiv të infrastrukturës botërore ‘Global Gateway’ synon të investojë në stabilitetin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin. Përveç kësaj kërkohet të demonstrohet që vlerat demokratike, siguria dhe ‘fairness’, sjellin qëndrueshmëri për partnerët dhe avantazhe për njerëzit rreth e rrotull botës”, thuhet në programin e KE-së.

Pyetjes nëse kjo iniciativë vë në shënjestër Kinën, Ursula von der Leyen i përgjigjet, “kjo është një alternativë e qartë ndaj programeve të tjera.”

Te shuma prej 300 miliardë eurosh e investimeve, 135 miliardë euro deri në vitin 2027 do të merren me garanci nga “Fondi Evropian i Zhvillimit të Qëndrueshëm”, KE kërkon që të joshë me “instrumente të reja financiarë” kapitalin privat për projekte të përbashkëta. Banka Evropiane e Zhvillimit në Luksemburg do të luajë një rol qendror.

Lexo më shumë  Franca mbështet urdhër arrestin për Netanyahun dhe Hamasin

150 miliardë euro të tjera do të merren nga programe të ndryshme ekzistuese, institucione financiare të BE dhe programet e investimit të shteteve anëtare që do të bashkohen. Nuk bëhet fjalë për fonde të reja, por për metodë të re llogaritjeje. 18 miliardë eurot e tjera do të vijnë si garanci nga buxheti i zhvillimit të BE-së.

Prodhimi i hidrogjenit

Si shembull konkret KE-ja merr investimin në prodhimin e hidrogjenit në Afrikë. BE do t’i sigurojë me 3.5 miliardë euro garanci investimet private. Kundrejt kësaj vendet marrëse do të garantojnë që të eksportojnë prodhimin e hidrogjenit të lirë dhe pa barriera tregtie.

Sigurisht Brukseli shpreson që ndërmarrjet evropiane të kenë rol në ndërtimin e impiantëve të prodhimit dhe vënien në funksionim e shpërndarjen e hidrogjenit, thonë diplomatët evropianë që kanë punuar për programin e ri të investimeve.

Projekt tjetër gjigant është vendosja e kabllove nëndetare për internetin e shpejtë në Detin e Zi. Në Jordani, BE mund të financojë një urë të re që do çojë në Jordanin Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

BE parashikon të mbështesë firmat evropiane financiarisht me subvencione, me qëllim që ato të kenë sukses në tregjet e rregulluara ndaj konkurrentëve vendas, apo sipërmarrjeve të financuara nga shteti, siç bën Kina. Nga ana tjetër BE kërkon të vendosë standarde botërore në sektorë të caktuar të prodhimit industrial.

Pikërëndesat e programit të ri “Global Gateway” do të jenë investimet në digjitalizim, mbrojtjen e klimës dhe energjive të rinovueshme. Nuk bëhet fjalë për të ndërtuar rrugë, që eventualisht mund të çojnë në një port të financuar nga Kina, ishte shprehur muaj më parë von der Leyen.

Favori i Kinës

Kina ka një favor kohor, për shkak se filloi më herët me ngritjen e “Rrugës së Re të Mëndafshit” dhe mobilizoi disa qindra miliardë dollarë me programe të ndryshme të fondeve të zhvillimit. Rreth 70 vende marrin pjesë ndërkohe në programet e Kinës, mes tyre mjaft vende të BE dhe vendet e Ballkanit. Linjat hekurudhore kineze lidhin mjaft shtete të Evropës me portet apo eksportues në Kinë.

Lexo më shumë  Dronët detarë ukrainas Sea Baby pajisen me sistem të avancuar raketor

Kritikët e akuzojnë ekonominë kineze të planifikimit, se i josh vendet e Rrugës së Re të Mëndafshit me kredi të lira, që çojnë në borxhe gjithnjë e më të larta shtetërore. Shembull për këtë është vendi i vogël ballkanik, Mali i Zi. Ai iu drejtua në verë me një thirrje ndihme BE-së, sepse nuk mundte të paguante më një kredi kineze për një projekt mbidimensional të autostradës. BE e refuzoi ndihmën në këtë rast. Autostrada për momentin përfundon në male. Kina ka ofruar shtyrjen e shlyerjes së kredisë.

“Global Gateway” ka potencial

Pjesëmarrja në projektet e “Një brez, në rrugë” nuk do të jetë kriter përjashtues për programin e ri të BE-së. Shtetet e interesuara mund të marrin pjesë në të dyja iniciativat.

Ambasadori gjerman në BE, Michael Clauß më parë ambasador në Kinë e quan “Global Gateway” një ide të mirë.

“Global Gateway ka potencialin që të kthejë BE në një aktor eficient gjeopolitik. Për shumë partnerë oferta e një bashkëpunimi të barabartë me rregulla të bazuar në vlera do të jetë një alternativë e vërtetë për inciativën ‘Një brez, një rrugë’”, tha Clauß në Bruksel.

Eksperti i financave të grupit kristianmodekrat në Parlamebtin Evropian, Markus Ferber shikon me sy më kritik programin e ri të BE.

“BE qëndron strike në mbirregullimin dhe kërkon shumë kritere në dhënien e mjeteve të mbështetjes. Vëllimi vërtet që është rritur, por sistematika evropiane e ngatërruar nuk ka ndryshuar. Kina nuk do të ngrijë nga frika”, kritikon Ferber.

Programi i ri “Global Gateway” duhet të miratohet njëherë nga Këshilli i BE-së, përfaqësia e vendeve anëtare dhe Parlamenti Evropian para se të livrohen fondet e para vitin e ardhshëm. /Deutsche Welle/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *