Bota

Gjykata rumune ia ndalon garimin kandidates presidenciale për shkak të qëndrimeve proruse

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë njoftoi se një kandidate nacionaliste për zgjedhjet presidenciale në vend nuk i plotëson kushtet për të garuar, për shkak të qëndrimeve të saj proruse dhe kundër Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Kushtetuesja vendosi në fundjavë ta heqë Diana Sosoaca – lideren e partisë opozitare ultranacionaliste dhe euroskeptike, SOS Romania – nga lista e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Ajo e publikoi vendimin të hënën vonë në mbrëmje.

Vendimi i saj i ka nxitur politikanët nga i gjithë spektri politik të ngrenë shqetësime se gjykata i ka tejkaluar kompetencat e veta.

Lexo më shumë  Zvicra ndalon mbulimin e fytyrës në hapësira publike nga janari

Rumania, anëtare e BE-se dhe NATO-s, do të mbajë zgjedhje presidenciale me dy runde, më 24 nëntor dhe 8 dhjetor, ndërsa zgjedhjet parlamentare do të mbahen në mes tyre.

Sipas Kushtetutës, çdo qytetar rumun mbi moshën 35-vjeçare që nuk ka histori kriminale, ka të drejtë të garojë për president.

Por, Kushtetuesja argumentoi se qëndrimet publike të Sosoacas bëjnë që ajo të mos jetë në gjendje ta mbajë zotimin presidencial për nderimin e Kushtetutës dhe për mbrojtjen e demokracisë, nëse do të zgjidhej presidente.

Lexo më shumë  Si votojnë astronautët nga hapësira gjatë zgjedhjeve në SHBA?

Pesë nga nëntë gjykatësit votuan për largimin e Sosoacas, dy votuan kundër, ndërsa dy të tjerë abstenuan.

Sosoaca, anëtare e Parlamentit Evropian, njihet për qëndrimet e saj antisemitike dhe proruse.

Por, disa politikanë thanë se mohimi i të drejtës së saj për të garuar në zgjedhje e minon sundimin e ligjit dhe vendos precedent të rrezikshëm për eliminimin e kandidatëve.

Rruga Press

YouTube player