BotaKryesore

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhër- arrest për Vladimir Putin

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë se është përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën krim lufte.

Në deklaratën e gjykatës u tha se urdhër-arresti është lëshuar edhe për Maria Lvova-Belova, zyrtare ruse për të drejtat e fëmijëve, e cila dyshohet se drejton dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi.

Të dy dyshohen se “kanë kryer vepra vetë, bashkërisht me persona të tjerë apo përmes personave të tjerë”, u tha në njoftimin e gjykatës.

Aty po ashtu u tha se Putin ka dështuar “të ushtrojë kontrollin e duhur mbi vartësit civilë dhe ushtarakë që kryen veprat, ose lejoi kryerjen e tyre”. Sipas gjykatës, vartësit ishin “nën kontrollin efektiv të tij [Putinit], në përputhje me përgjegjësinë superiore”.

Lexo më shumë  Presidentja Osmani bisedon me homologun gjerman për Këshillin e Evropës

“Ka arsye për të besuar se çdo i dyshuar është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, sa i përket fëmijëve ukrainas”, tha Gjykata Penale Ndërkombëtare në deklaratën e lëshuar më 17 mars.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, tha se vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, me seli në Hagë, është vendim “historik”.

Lexo më shumë  Përfundon pa marrëveshje takimi për dinarin, Bislimi: Nuk pres takime të tjera për këtë temë

“Tash e tutje, presidenti rus ka status zyrtar të të dyshuarit për kryerjen e një krimi ndërkombëtar”, tha ai përmes një deklarate.

“Ky është vendim historik për Ukrainën dhe për gjithë sistemin e ligjit ndërkombëtar”.

Gjykata Penale Ndërkombëtare tha se përderisa urdhër-arrestet zakonisht konsiderohen sekrete me qëllim që të mbrojnë viktimat dhe dëshmitarët dhe të mbrojnë hetimet, fakti që krimet po vazhdojnë, e shtyn atë të publikonte lajmin pasi “urdhër-arrestet mund të kontribuojnë në parandalimin e kryerjes së mëtejme të këtyre krimeve”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *