Gjykata i shpall të paligjshme arrestimet e 14 protestuesve te Kryeministria
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i vlerësoi të paligjshme arrestimet e 14 protestuesve të marten, si dhe vendosi lirimin e tyre. Vendimi u mor të premten nga gjyqtarja Oltjona Goxha, e cila pasi dëgjoi për rreth tre orë pretendimet e prokurorisë e të mbrojtësve të protestuesve, i çmoi të paligjshme ndalimet e tyre.
Prokurorët e çështjes, Françesk Ganaj dhe Mirela Kapo kërkuan që arrestimet të konsideroheshin të ligjshme. Avokatët e protestuesve parashtruan faktin se prej datës 19 gusht, policisë i ishte dërguar shkresë zyrtare se, protestat do të zhvilloheshin çdo ditë rreth orës 19:00, para godinës së Këshillit të Ministrave.
Policia e Tiranës njoftoi të mërkurën arrestimin e 14 protestuesve dhe procedimin penal në gjendje të lirë të tre të tjerëve, pas tubimit të përnatshëm të zhvilluar pranë Kryeministrisë. Policia pretendoi se në atë kohë brenda godinës ndodheshin “personalitete të larta shtetërore”, pa bërë të ditur identitetin e tyre, si dhe se tubuesit kishin refuzur të largoheshin.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “prishjes së qetësisë publike” dhe “pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Prej më shumë se tre muajsh, mijëra qytetarë protestojnë çdo natë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Lëvizja është pagëzuar nga media ndërkombëtare si “Revolucioni i Flamingove”.
Rruga Press

