Lajme

Gjykata gjen paligjshmëri në arrestimet e protestuesve në Tiranë

Gjykata e Tiranës liroi një grup prej të arrestuarve pas protestës së të mërkurës duke e cilësuar pjesërisht të paligjshëm arrestimin e tyre, por pas katër ditësh protesta rreth 50 qytetarë janë në qeli dhe mbi 200 po ndiqen penalisht me akuza për tubim të paligjshëm.

Gjykata e Tiranës i cilësoi të paligjshme të shtunën arrestimet me akuzën e grumbullimit të paligjshëm dhe liroi nga qelitë të arrestuarit. BIRN mësoi se gjykata cilësoi si të paligjshme arrestimet mbi akuzat “grumbullim i paligjshëm” dhe “kundërshtim i forcave të policisë”, por caktoi masa sigurimi detyrim paraqitje për akuzën e “bllokimit të rrugëve”.

Por pavarësisht këtij vendimi dhe vendimeve të mëparshme të gjykatave kundër arrestimit të protestuesve paqësorë për tubim të paligjshëm,  Policia e Shtetit vijoi ndalimet. Në ditën e katër të protestës policitë në disa rrethe njoftuan arrestimin e 6 personave, ndërsa ndaj 60 të tjerëve u njoftua procedim penal në gjendje të lirë me akuza për grumbullim të paligjshëm, prishje të qetësisë publike dhe bllokim të rrugëve.

Në total në 4 ditë, policia ka shoqëruar në komisariate mbi 200 protestuesë, nga të cilët 50 janë arrestuar dhe ndaj rreth 150 të tjerëve janë hapur procedime penale.  Mbi 15 persona janë shpallur në kërkim nga policia.

Shumica dërrmuese e arrestimeve janë në Tiranë, ku policia përdori edhe punonjës të veshur civilë dhe të maskuar për të ndarë nga grupi të rinj që më pas u shoqëruan me forcë në fugona policie. Të shtunën numrin më të lartë të arrestimeve e njoftoi Policia e Dibrës, e cila tha se kishte arrestuar 5 persona, 1 të shpallur në kërkim dhe 13 të proceduar penalisht.

Lexo më shumë  Kurti në Studime: Të bashkuar në kujtimin e të dashurve tanë dhe përkushtimin për drejtësi

Ndalimet u cilësuan shqetësuese nga Avokati i Popullit i cili në një komunikatë për shtyp i kërkoi policisë të mos pengonte protestat paqësore. “Avokati i Popullit i kërkon Policisë së Shtetit të garantojë të drejtën e qytetarëve për protestë paqësore si dhe sjelljen në përputhje me ligjin të punonjësve të policisë”, thuhej në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Ndërkohë aktivistë dhe protagonistë në protesta i kanë cilësuar ndalimet nga policia si përpjekje për të trembur protestuesit. Pas protestës së të shtunës në të cilën morën pjesë mijëra qytetarë, një grup i tyre protestoi edhe para Drejtorisë së Policisë së Tiranës me kërkesa për lirimin e të ndaluarve.

BIRN mësoi se Gjykata e Tiranës liroi 12 protestuesë të shtunën. Ata ishin  arrestuar nga policia mbrëmjen e të mërkurës pas protestës së parë. Avokatja e dy prej të arrestuarve Blerina Cano i tha BIRN në një bisedë telefonike se gjyqtari kishte cilësuar të paligjshme arrestimet me akuzat  “grumbullim i paligjshëm” dhe “kundërshtim të forcave të policisë”. Ajo tha se të arrestuarit do të procedoheshin me masën detyrim paraqitje vetëm për “bllokim të rrugëve” dhe “prishje të qetësisë publike”.

Cano tha se gjykata sërish kishte vënë theksin te e drejta për protestë, por edhe se kishte kërkuar që ajo të zhvillohej brenda ligjit.

Lexo më shumë  Për shkak të mungesës së mjekëve në Shqipëri Rama i detyron studentët e mjekësisë me tre vite punë të detyruar, studentët e mjekësisë kundër ligjit të ri

Avokati Redon Meksi, i cili do të përfaqësojë në gjykatë dy prej të arrestuarve që presin masën e sigurisë të dielën, i tha BIRN në një bisedë telefonike se arrestimi ishte i paligjshëm për të 4 akuzat. Meksi, i cili po ashtu ka qenë aktiv në protestë, tha se policia i referohej për arrestime një neni të Kodit Penal të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, në të cilën kërkohet të merret leje nga policia para protestave.

Meksi theksoi se parlamenti nuk kishte bërë ndryshimet e kërkuara dhe se policia po vepronte bazuar në një nen të shpallur antikushtetues. “Unë do të kërkoj shpallje të arrestit të paligjshëm për të katër akuzat”, tha Meksi dhe shtoi se interpretimi i bërë nga Gjykata Kushtetuese nënkuptonte se kur bllokimi i rrugës bëhej gjatë një tubimi e drejta për grumbullim kishte përparësi mbi bllokimin e rrugëve.

Aktivistët ndërkohë dënuan si shqetësuese përdorimin e policëve civilë për të ndaluar protestues.

Por policia nga ana e saj ka këmbëngulur se kishte të drejtë të ndalonte protestuesit duke cilësuar të paligjshëm bllokimin e rrugëve. Në një deklaratë për shtyp Policia e Shtetit tha të shtunën se “do të ndërhyjnë në zbatim të ligjit për të shpërndarë protestuesit, me qëllim lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve”.  Policia pretendoi se veprimet e protestuesve edhe pse gjatë protestave nuk pati akte dhune binin “ndesh me ligjin dhe cënojnë rendin e sigurinë”./birn/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *