Bota

Gjykata e Bosnjës pezullon librin që paraqet si heronj të dënuarit për krime lufte

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës e ka pezulluar të premten një pjesë të kurrikulës së arsimit fillor në entitetin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, e cila paraqet si heronj të dënuarit serbë për krime lufte gjatë luftës së viteve 1992/1995.

Ministria e Arsimit e Republikës Sërpska e solli një modul rreth luftës në Bosnjë dhe shkaktarët e saj nga këndvështrimi serb për nxënësit e klasës së nëntë.

Sipas këtij moduli, ish-lideri politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiç – portretizohen si figura historike që mundësuan krijimin e Republikës Sërpska.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Karaxhiq dhe Mlladiç janë dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Lufta shkatërruese në Bosnje, gjatë të cilës u vranë mbi 100.000 njerëz dhe rreth dy milionë të tjerë u zhvendosën, përfundoi pas një marrëveshje për paqe të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit.

Lexo më shumë  Kanadaja ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, Bosnja është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse. Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.

Në një seancë të premten, gjykata vendosi ta pezullojë me efekt të menjëhershëm pjesën e kurrikulës që merret me luftën dhe krijimin e entitetit serb, pas kërkesës së 13 anëtarëve të Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës.

YouTube player