ArgumentKryesore

Gjithë kombi sot nderoi Adem Jasharin, por jo kryetari i PDK-së dhe LDK-së. Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku nuk shkuan në seancën solemne kushtuar Epopesë së UÇK-së

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në nder të 26 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, liderët institucionalë e kanë vlerësuar lartë sakrificën e familjes Jashari dhe të komandantit legjendar Adem Jashari për çlirimin e Kosovës.

Përvëç deputetëve, aty ishin Kryeministri i Kosovës, Presidentja e Kosovës, ministra, ambasadorë të vendeve mike, përfaqësues të institucioneve kyçe të Kosovës, ishte vetë Rifat Jashari që me fisnikërinë e tij e solli të gjallë praninë e familjes legjendare Jashari.

Në nder të Adem Jasharit dhe familjes së tij aty ishin edhe artisët e shquar, Ilir Shaqiri dhe Shkurte Fejza për t’i kënduar atij me të cilin krenohet gjithë kombi, por aty nuk ishte kryetari i PDK-së dhe LDK-së, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku.

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

Sot kudo ndihej atmosfera e lavdisë që rrezaton gjithnjë e më furishëm, që prej 5, 6 dhe 7 marsit 1998, në rrugë e në Kuvend të Kosovës, në rrjetet sociale që gëlonin me emrat e familjes më të shquar të historisë shqiptare, e në këngën “Mora Fjalë” të kënduar me krenari nga trupat e Forcave të Sigurisë së Kosovës që trashëgojnë “pushkën çlirimtare” të Adem Jasharit. Të gjithë për të nderuar me përulje Jasharët e Prekazit heroik, por jo Memli i PDK-së dhe Lumiri i LDK-së.

Është e vërtetë se në Kuvendin e Kosovës nuk ishte Lista Serbe, sepse ata po e bojkotojnë këtë institucion të Republikës së Kosovës, por edhe dihet mirë që ata në linjën e Vuçiqit, trashëgojnë politikisht Millosheviqin që sulmoi me të gjitha mjetet ushtarake Jasharët. Të gjithë e prisnin që ata sot nuk do të ishin aty. Por, askush nuk e priste që edhe kryetari i PDK-së dhe LDK-së sot nuk do të ishte aty.

Lexo më shumë  “Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Një seancë e tillë si e sotmja mbartë në vetvete mesazhin më përbashkues dhe integral të vetë ekzistencës së institucioneve të Republikës së Kosovës. Mungesa e liderëve opozitarë, Abdixhiku e Krasniqi, është mungesë respekti ndaj aktit themeltar të vetë ekzistencës së këtyre institucioneve, Epopesë së UÇK-së. Një akt skajshmërisht i tupshëm në ditën më të lavdishme të shqiptarëve.

A ka një arsye të shëndoshë që do të shtynte liderët opozitarë shqiptarë në Kosovë të bojkotojnë Jasharët e lavdisë më sublime? Kujt mund t’i bënim nderimet nëse jo Jasharëve dhe UÇK-së?!

YouTube player