Gjimshiti: Nuk mendoj largimin, jam i kënaqur te Atalanta
Lideri i repartit të mbrojtjes te kombëtarja shqiptare, Berat Gjimshiti është kthyer po në një lojtar të rëndësishëm për skuadrën e Atalantës në Seria A.
Plot 6 vite pjesë e “bergamaskëve”, ku edhe vetë mbrojtësi nuk e kishte menduar se do të qëndronte kaq gjatë në këtë skuadër, ku ka zhvilluar 141 ndeshje dhe ka arritur të dërgojë topin në rrjetë 4 herë, ndërsa ka asistuar në 6 raste.
Paraqitjet e lojtarit nga Lugina e Preshevës i kanë siguruar vendin e titullarit te Atalanta, duke e kthyer mbrojtësin kuqezi në një nga mbrojtësit më të mirë të kmapionatit Italian.
“Nuk mendoj për të ardhmen. Mund të them sinqerisht se nuk e prisja të qëndroja kaq gjatë në Itali. Unë jam mirë te Atalanta dhe jam i kënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat. Dua të bëhem më i fortë dhe jam në mjedisin e duhur. E di që mund të jap edhe më shumë” ka theksuar Gjimshiti.
28-vjeçari ka folur edhe për gjermanin Robin Gosens i cili u transferua te Interi, pasi me të kishte një shoqëri të madhe.
“Humbëm një pjesë të rëndësishme. Ai shënonte shumë gola dhe jepte shumë asist. Robin është një person i mrekullueshëm. Jam i lumtur për të, sepse ai e donte këtë hap dhe e meriton”, u shpreh lideri i mbrojtjes.
Rruga Press