Bota

Gjermania legalizon kanabisin

Parlamenti gjerman ka mbështetur ligjin e ri që lejon përdorimin rekreativ të kanabisit, shkruan BBC të premten. Megjithatë, ligji është mjaft kompleks.

Sipas ligjit, personat mbi 18 vjeç në Gjermani do të lejohen të posedojnë sasi të kufizuara të kanabisit, por rregullat strikte do ta vështirësojnë blerjen e drogës.

Pirja e kanabisit në shumë hapësira publike do të jetë e ligjshme nga 1 prilli në Gjermani.

Në hapësirat publike do të lejohet posedimi deri në 25 gramë kanabis. Në shtëpi, do të lejohet posedimi deri në 50 gramë.

Policia në disa pjesë të Gjermanisë shpesh ka mbyllur një sy ndaj pirjes së kanabisit në vendet publike, megjithëse ajo përbënte vepër penale.

Përdorimi i drogës tek të rinjtë është rritur për vite me radhë pavarësisht ligjeve, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, i cili është një nga ideatorët e reformave për legalizimin e kanabisit.

Me reformën në këtë ligj, Lauterbach synon të minojë tregun e zi, të mbrojë konsumuesit nga kanabisi i kontaminuar dhe të ulë të ardhurat e grupeve kriminale.

Lexo më shumë  Kanadaja ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Por dyqanet që do të shesin kanabis nuk do të hapen papritur në të gjithë Gjermaninë. Planet për të lejuar dyqanet që të shesin kanabis janë hequr pas shqetësimeve të Bashkimit Evropian se kjo mund të çojë në rritje të eksporteve të drogës.

Pirja e kanabisit në disa zona, si pranë shkollave dhe terreneve sportive, do të vazhdojë të jetë e paligjshme. Ç’është më e rëndësishmja, tregu do të jetë i rregulluar shumë strikt. Kësisoj, blerja e kanabisit nuk do të jetë e lehtë.

Në vend të dyqaneve, sipas ligjit të miratuar në Parlamentin gjerman, do të krijohen të quajturat “klube sociale të kanabisit” të cilat do të rrisin dhe shpërndajnë sasi të kufizuara të drogës.

Secili klub do të lejohet të ketë deri 500 anëtarë. Konsumimi brenda klubeve nuk do të lejohet, ndërsa anëtarësimi do të jetë i mundur vetëm për banorët gjermanë.

Secila familje mund të rrisë deri në tre bimë kanabisi.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

Kjo do të thotë se Gjermania mund të jetë në pozitë paradoksale për të lejuar posedimin e sasive mjaft të mëdha të drogës, por duke e bërë në të njëjtën kohë të vështirë blerjen.

Ata që e konsumojnë rregullisht do të përfitojnë nga ky ligj, por përdoruesit jo të rregullt do ta kenë të vështirë ta blejnë ligjërisht. Turistët gjithashtu do të përjashtohen. Kritikët kanë thënë se kjo thjesht do ta nxisë tregun e zi.

Qeveria gjermane do ta vlerësojë ndikimin e ligjit të ri dhe do të vendosë nëse do të lejojë shitjen e licencuar të kanabisit edhe në dyqane.

Ligji ka hasur në shumë debate. Konservatorët në opozitë kanë thënë se nëse e marrin në dorë qeverinë vitin e ardhshëm, do ta heqin krejtësisht ligjin.

Mjekët kanë shprehur shqetësime për të rinjtë, duke thënë se legalizimi do të nxisë përdorimin e kanabisit.

Por ministri Lauterbach ka thënë se numri i konsumuesve të kanabisit të moshës 18-25 vjeç është dyfishuar në 10 vjetët e fundit.

Rruga Press

YouTube player