KryesoreLajme

Gjermania forcon qëndrimin kundër ndarjes së Kosovës me të dërguarin special

Kufijtë në Ballkan janë dhe duhet të mbesin të pacenueshëm, ishte mesazhi që Manuel Sarrazin pati dhenë në muajin maj të vitit 2021 kur i kishte komentuar non-paperat që rikthyen në fokus çështjen e ndryshimit të kufijve si zgjidhje përfundimtare për krizat në Ballkan. Sot, ish-deputeti i Të Gjelbërve është caktuar i dërguar i posaçëm i Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.

Ka qenë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, që të premten i ka dhenë mbështetjen Sarrazinit në funksionin e ri. Ajo ka thënë se Ballkanit Perëndimor i duhet një përkrahje më e fuqishme dhe me parime nga BE-ja dhe se s’ka pasur njeri më të mirë që ka mundur të merrte rolin.

Lexo më shumë  Kurti në Prekaz: 28 Nëntori, datë themeltare e historisë

Në një intervistë për “DW”, vitin e shkuar Sarrazin kishte thënë se “testimet” (non-paperat), duhet të marrin përgjigje të qartë kundër nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian.

“Kufijtë në rajon janë të pacenueshëm dhe duhet të mbesin të tillë”, ishte shprehur ai duke mbështetur qëndrimin e ish-ministrit të Jashtëm gjerman, Heiko Maas, që në një vizitë në Kosovë u shpreh se ky shtet është kundër shkëmbimit të territoreve si zgjidhje e dialogut Kosovë-Serbi. “Ideja për demarkacion etnik i takon grirësve historikë”, kishte thënë Sarrazini.

Për debatin se a duhet të ketë shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, Sarrazini kishte thënë se do të ketë tentativa për ringjallje të diskutimeve edhe pas largimit të Angela Merkelit. Megjithatë kishte shtuar qëndrimin e qartë se Të Gjelbrit kanë “qëndrim të qartë” kundër.

Politikani gjerman kishte thënë se BE-ja duhet të ketë zë më të fuqishëm kundërshtues për ndarjet e rajonit. Ai ishte shprehur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ishte deklaruar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se po punon që sa më shpejt të ndodhë liberalizimi.

Sarrazin është i njohur edhe për veprimin që kishte bërë në shtator për zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani. Ai kishte shkuar me not deri në qendrën e votimit si akt simbolik për premtimet e Të Gjelbërve.

Pos Gjermanisë, të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor kanë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Gabriel Escobar) dhe Britania e Madhe (Stuart Peach).

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *