Art & Kulturë

Gjermani/ Pas pesë vitesh mungesë Eda Zari kthehet me albumin e ri “Palimpsest”

Pas pesë vitesh Eda Zari kthehet me një album të ri – si gjithherë – konceptual. “Palimpsest” Lasgush Poradeci Heinrich Heine My life is one Palimpsest, so is yours! “Ç’është truri i njeriut përveçse një palimpsest kolosal? Truri im është një palimpsest i tillë” – kështu Thomas De Quincey në “Libra – Suspiria de Profundis“. Kjo metaforë vlen për zemrën, poezinë dhe muzikën! Pergamenat dhe letrat e shkruara rishtas u quajtën palimpsest. Ky kompleksitet është karakteristika kryesore e albumit dygjuhësh, shqip dhe gjermanisht, të Eda Zarit quajtur  “Palimpsest”.

Ndryshe nga dashuria e epërme për të cilën John Coltrane në suitën e tij “A Love Supreme” shpreh muzikalisht qëllimin e tij – të jetonte jetën e vërtetë fetare, qëllimi i Eda Zarit është të shkruajë një vepër muzikore shpirtërore mbi poezinë lasgushiane që mbart konceptin kozmik, atë më të epërmin, të cilën Poeti e quan Dashuri. Muzikalisht Eda Zari ndihet si në shtëpinë e vet në varietetet e xhazit, muzikës kinematografike dhe world music. Për nderimin e vargjeve të Lasgush Poradecit, ajo zgjodhi një fjalor të saj melo- ritmik vokal në mënyrë që të përkthejë përshtatshëm vargjet poetit në muzikë .

Pse Palimpsest?

“Me Palimpsest, dua të rrumbullakos bollëkun e shqipes së Lasgushit në bashkekzistencë me vokabularin e ri melo-ritmik akustik ngritur në nivelin e këngës. E kaluara bëhet e pranishme në të tashmen duke u rishkruar dhe si këngë që të ndërmendet lehtazi mëngjeseve apo si lajtmotiv mes dy njerëzish premtuar njëri-tjetrit. Me kalimin e kohës, “Palimpsesti” mund të shtojë shtresa të reja në vetvete. Ky koncept dhe efekt na lejon të përjetojmë njëkohësisht të kaluarën në të tashmen dhe të tashmen në të kaluarën, përmes ndarjes dhe qepjes se kujtimeve, gjuhësisë, fjalës dhe tingullit në kohë dhe hapësirë. Përmes muzikës rishkruajmë biografinë tonë me fjalët e poetit, ndjesinë e shijes si “tingëllon dashuria” ose si kompozohet “dhimbja e lamtumirës”. Albumi mund të “shfletohet” si një libër tingullor. Muzika “lexohet” sikundër poezia “këndohet”! Lexon tingullin, përjetimet i këndon si një koleksion biografik, si një histori e vazhdueshme dehëse. “Palimpsest” duket sikur i flet membranës së konceptit të albumit tim, i cili ngrihet mbi një triangël biografik mes meje, Lasgushit dhe Heines.

Është kjo trio krijuese në ekzil – e ndarë dhe lidhur në një trini kohore – e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Për mua, bukuria e muzikës është se ajo ekziston me dhe përtej çdo mesazhi verbal. Pastaj, çfarë dëshmish të tjera mund të gjejë një poet për suksesin e vargjeve, apo muzikëthurësi për kompozimet, përveç përputhshmërisë muzikore të tonit me fjalën?” – thotë Zari.

Duket sikur kjo pyetje qe njëkohësisht përgjigjja e denjë për t’i dhënë Eda Zarit shtysën finale të ngrejë shtyllën e albumit. Disa paralele dhe devijime historike mes Llazarit (Poradecit) dhe Heinrich Heine i përforcuan poaq Zarit idenë për realizimin e një albumi jo vetëm me poezitë e Lasgushit, por dhe shqipërimet e tij nga “Libra e Këngëve” të poetit të madh gjerman. Natyrisht e gjitha kjo në emër të parimeve humaniste të artit – manifestimin e marrëdhënies midis poezisë me muzikën, si dhe dygjuhësisë brenda një ideje – si përgjigje specifike ndaj rrethanave të muzikës dhe poezisë – bashkëjetesës së sotme multikulturore – linguistike.

YouTube player

“Tek Heine dhe Lasgushi ndiej pasqyrimin e tingujve shpirtërorë përkthyer në vargje. Vargjet e poetëve dëftejnë për tronditjen e këngës së tyre të brendshme. Ndaj Lasgushi fal mesazhin e ngulmit të tij për këngën e re: – “Që nga fund i vetëvetës do të këndoj një mall të ri”. Ndonjëherë kur ndodhte – poezinë e Lasgushit t’ma lexonin apo recitonin qoftë në distancë telefonike apo më drejtoheshin dashurisht përmes vargjeve të tij, fjala vjen: “Ti po vjen që prej së largu …”, “Se të gjeta grua, prandaj…”, ngjyrën e melodisë menjëherë e aranzhoja në kokën time si një kolonë zanore, por duke i qëndruar larg elementit etnik, pa shumë përfshirje folklorike qoftë ritmike, melodike apo harmonike. Melodinë e emocionit të vargut të Lasgushit e shikoj krejtësisht si një ngjarje filmike apo një fotografi që rrëfen copëza biografike të Poradecit në Graz, Köln, tek Liqeri, në Bukuresht, shoh ambientet, personazhet, gruan, mizanskenat… apo netët vetmitare të hebreut Heine teksa sillet në ekzil në “Kryeqytetin e Revolucionit” apo në “Panteonin e të gjallëve” siç e quante ai Parisin – andej prej nga ai i shkroi zhgënjimit, urrejtjes, dashurisë dhe mallit për Dyseldorfin – vendin e tij të lindjes! Ndaj, kujdesi maksimal, porosia dhe thelbi i melodisë është krejtësisht i varur nga komponentët përmbajtës të fjalës. Fjala ndikon në vokalin tim, akcentuimin tonal, frazimin, koloritin intim përmes segmenteve a kapela dhe recitativës lirike për t’i dhënë vërtetësinë e nevojshme këngës së Poetit. Kësisoj fjala bëhet më e qëndrueshme e çimentuar me tingullin”- shprehet Zari.

Simbolika mbresëlënëse që përçon “Palimpsesti” është vendosja e kujtimeve të zemrës dhe mendjes në një fill të kuq tingulli. Është fjalori muzikor i rishkruar mbi fjalorin poetik, është rroba e dashurisë që Eda Zari i mvesh, me zërin e saj, fjalës lasgushiane. Artistja në bashkëpunim me Henning Jung dhe Leon Brückner, përmes kompozimeve të reja, na shpie me “Palimpsest”, në një udhëtim brenda shpirtit – plot kalesa malli, shprese, ndarjeje, humbjeje, rigjetjeje – përmes fizikes dhe shpirtërores. Një udhëtim ku fjala rishkruhet me muzikë jo vetëm në formën e një partiture por dhe ekzekutohet, këndohet. Poezia gjallohet përmes tingullit sa herë ajo luhet e rikëndohet, duke prodhuar akustikë që e ridimensionon veprën, duke vajtur krejtësisht në të përfundmen e re.

 “Line up” – i klasit të lartë!

“Për zhvillimin muzikor të albumit përtej aspekteve të tjera konceptuale më ishte e rëndësishme, në retrospektivë, të dëgjoja kujdesshëm të gjithë albumet e mia të shkuara. Mandej personalisht dëgjoj shumë muzikë kinematografike e që e kam dhe pjesë të punës sime. Kushdo që merret intensivisht me marrëdhënien midis poezisë dhe muzikës, e sidomos atë të muzikës së filmit e njeh vështirësinë e hedhjes së mendimeve në tingullin e imazhit që ecën. Në entuziazmin tim për filmat dhe sidomos muzikën e filmit nuk e lëshova për asnjë çast idenë e krijimit të një anijate muzikantësh prej nga krijohet tingulli kinematografik, ku fjala e Lasgushit ngrihet mbi mjedise minore-maoxhere, ku vende, ngjarje, gruaja, mikja përsoset nga tingulli. Për këtë solla në bordin e muzikantëve pianistin tim të preferuar, estetin e tingullit pianisti Frank Chasternier, të mirënjohurin perkusionist maroken Rhani Krija – i cili është i gjithëpranishëm në albumet e mia, kontrabasistin virtuoz Martin Gjakonovski, trumbetistin nga Berlini Sebastian Studnitzky, bateristin nga New Yorku Jochen Rückert, bandoneonistin e shkëlqyer nga Buenos Aries Santiago de Arias, basistin belg Nicolas Fizmann, kitaristin Henning Jung – që njëkohësisht është edhe im bir, si dhe grupin e harqeve dhe të tunxhit nga IMM Dyseldorf.

Ky miks muzikantësh pasqyron poaq dhe stacionet e mia kulturore midis Gjermanisë dhe Shqipërisë e më gjerë.”

Si vishet fjala me tingull?

Edhe pse “përkthimet e teksteve të Poradecit në gjermanisht janë zakonisht të dënuara të dështojnë” – shprehet Hans Joachim Lanksch – duket se Eda Zari me zërin dhe muzikën e saj merr përsipër “përkthimin” e këtyre teksteve për dëgjuesin jo vetëm gjermanofon por dhe me gjerë, duke i bërë ato të kuptueshme për dëgjuesin, të cilit nuk i mjaftojnë klishetë e turbo-folkut ballkanik. Proceset e të menduarit të teksteve shndërrohen në emocion përmes vokalit unik të Zarit dhe instrumentistëve të saj. Kështu poezia bëhet e prekshme përtej gjithë kufijve kulturorë dhe kohorë. Aranzhimet janë dizajnuar në atë mënyrë që, përveç zërit të këndimit, të përdoren kryesisht instrumente akustike.

– Të realizosh një album në kushte të pazakonta!

“Të qenit vetmitare në studio, të kënduarit pa praninë e kolegëve, e rriste më fort ndjesinë e mospasjes dhe mallit për të krijuar së bashku. Këngët gjegjësisht fjalosin për mall-dashurinë, ndaj dhe ajo çka vjen prej tingullit dhe frymës sime tek dëgjuesi, është dëshira për t’u parë përsëri, për të bërë së bashku muzikë me kolegët, për t’i thurur lavde dashurisë mes publikut – me publikun.

Kjo është dëshira më e madhe që kam tani. Kjo është arsyeja pse insistova pro idesë, për të bashkuar kolegët në kohën e COVID-19 në këtë mënyrë, për të kapërcyer të gjitha barrierat dhe për të ndarë diçka shpirtërore së bashku. “Palimpsest” në thelb mund të shihet edhe si shumë “deklarata” personale dashurie e malli, kënduar e rikënduar, thënë rishtazi në kohët e koronës e post koronës. Të gjithë ata që u përfshinë në këtë album, rrallë apo kurrë nuk u takuan së bashku në studio”- kështu Zari. Por linjat e instrumenteve, luajtur nga muzikantë të mirënjohur botërorë, shtresëzuar kohë pas kohe, një pas një – krijuan një puzel me një rezultat e prodhim artistik me cilësi të lartë mbi të cilin Eda Zari dëshmon aftësitë e saj jo vetëm si vokaliste por dhe producente. Sidoqofshin kohët që pasuan, të gjitha fijet e produksionit u bashkuan tek zëri i Eda Zarit. Ajo së bashku me coproducentin Henning Jung dhe aranzhuesin Leon Brückner zbatuan konceptin tejet ambicioz të “Palimpsestit”. Imazhi dhe aftësia artistike e Eda Zarit rezultojnë në një mbivendosje vokale shumë autentike dhe tej unike.

“Palimpsest” kënduar në dy gjuhë

Me shqipen e Lasgushit sikurse edhe në origjinal, vargjet e Heinrich Heine-s përmes zërit tingëllojnë ngrohtë, ngarkuar me një notë vetmitare por kurrsesi patetike. Po kështu tingëllon gjermanishtja e Hans Joachim Lanksch, i cili ka përkthyer poezinë e Poradecit – Ewigkeit – Përjetësia II. “Përherë më sillej pyetja: në cilën gjuhë mund të shpreh më mirë ndjenjat, mallin, humbjet, dashurinë? Në cilën gjuhë nuk ka ende aq shumë sa të më duket mjaftueshëm? Përgjatë periudhës sime në fushën e muzikës klasike, kam kënduar në shumë gjuhë: italisht, çekisht, hungarisht, latinisht. Por në kontekstin në fjalë – gjuha e Heines, vargjet e tij në gjermanisht por dhe shqipërimet e Llazarit, janë përnjëmend emocionuese, dhe përligjin dëshirën time për të mbajtur lidhur atdheun tim dhe dheun tim të dytë mes poezisë, muzikës dhe kulturës.”

Eda Zari, jeton tashmë prej tri dekada në Düsseldorf – pra më shumë vite se në vendin e saj të lindjes, e megjithkëtë duket se këtij miksi kulturor këngëtarja i është fort mirënjohëse sepse i mundëson asaj të pasqyrojë poaq në muzikën e saj stacionet dhe ngjërimet kulturore midis Gjermanisë dhe Shqipërisë e më gjerë. Nuk është rastësi që Zari e ka shumë të pranishme kulturën e qytetit ku jeton, aty ku punuan dhe zhvilluan aktivitetin e tyre kompozitorët Robert Schumann, Felix Mendelssohn Bartholdy, madje vetë poeti Heinrich Heine. “Poli im i zhanrit klasik gjithëhera më ka orientuar në repertorin e këngëve të Bartholdit dhe

Schumann, si dhe sjelljet e tyre muzikale bazuar në poezitë e Heines. Prej vitesh kisha kohë që merresha me korrespondencën midis Heinrich Heine dhe Robert Schumann, ku vërehen këndvështrime të kundërta në lidhje me marrëdhënien midis gjuhës dhe muzikës. Interesant për projektin tim ishte shembulli insistues – si ai i Schumann-it ndaj poezisë së Heines, dhe sfida për çuarjen e poezisë së Lasgushit në nivelin e këngës. 31 vitet e Eda Zarit mes shqipes dhe gjermanishtes tashmë, na sjellin “një shkëlqim të fshehtë” brenda “Palimpsestit” të mendjes dhe zemrës – Lasgush Poradeci dhe Heinrich Heine – “Jeta ime është një Palimpsest, poaq dhe e jotja” – thotë Zari!

RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *