KryesoreLajme

Gjermani Dirk Schubel emërohet përfaqësues i posaçëm i BE-së në Kosovë

Këshilli i Bashkimit Evropian emëroi diplomatin gjerman, Dirk Schubel, si përfaqësues të ri të posaçëm të BE-së për Kosovën.

Ai do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar estonezin Aivo Orav.

Schubel është diplomat me përvojë të gjatë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

Aktualisht, ai drejton Divizionin për Rusinë në EEAS.

Më herët, ai ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor (2022-2024), ndërsa ka qenë edhe shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi (2019-2022) dhe në Moldavi (2009-2013).

Lexo më shumë  “Koha jote po mbaron, Rama!”/ Le Figaro jehonë revoltës antiqeveritare në Shqipëri: 167 të arrestuar, kryeministri refuzon dorëheqjen

Sipas vendimit të Këshillit të BE-së, mandati i Schubelit do të përqendrohet në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, si dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit.

Ai do të monitorojë përparimin në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, do të kontribuojë në forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së komuniteteve, si dhe do të promovojë koordinimin politik të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Lexo më shumë  32 raste dhune policore të dokumentuara: Letra që i kërkon llogari institucioneve

Mandati i tij përfshin, gjithashtu, ofrimin e udhëzimeve politike për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim forcimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Rruga Press

YouTube player