Bota

Gjeorgjia e quan Rusinë “agresore” në përvjetorin e luftës

Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, e quajti Rusinë “agresore” më 8 gusht, në 15-vjetorin e luftës mes dy shteteve për rajonin e shkëputur.

Rusia dërgoi mijëra trupa në Gjeorgji më 8 gusht të vitit 2008, pasi Tbilisi nisi një operacion ushtarak në shkallë të gjerë në Osetinë Jugore ndaj separatistëve, të cilët kishin granatuar fshatrat gjeorgjiane në rajon.

“Ne e kemi ditur për një kohë të gjatë se Rusia është agresore, e kemi ditur dhe tani edhe e gjithë bota e di”, tha Garibashvili për gazetarët, shkruan REL.

Qeveria e Garibashvilit është kritikuar nga opozita se ka prirje pro-ruse.

Rusia shkatërroi ushtrinë e vogël të Gjeorgjisë më 2008, duke pushtuar territorin gjatë pesë ditëve luftë. Më pas, presidenti i atëhershëm i Francës, Nicolas Sarkozy, ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi.

Lexo më shumë  Vulini: Kush mendon keq për Putinin, mendon keq edhe për Vuçiqin

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, që autorizoi veprimin ushtarak më 2008, mbrojti veprimet e Moskës përmes një deklarate të lëshuar në përvjetorin e kësaj lufte.

“Ushtria jonë shpejt dhe në mënyrë të ashpër ndëshkoi nacionalistët arrogantë për pesë ditë”, tha ai përmes deklaratës së publikuar në rrjetet sociale.

Ai po ashtu kritikoi Perëndimin për mbështetjen e presidentit të atëhershëm të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, duke ngritur paralele me mbështetjen që Perëndimi i jep Kievit gjatë pushtimit rus, që ende po vazhdon.

“Siç kam thënë në gusht të vitit 2008, armiqtë tanë do të shtypen dhe Rusia do të arrijë të gjithë paqen, sipas kushteve të saj”, tha ai.

Lexo më shumë  Imazhet satelitore që tregojnë dëmet në bazën ajrore ushtarake ruse – pas sulmeve nga Ukraina

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se Kievi qëndron në solidaritet me Tbilisin dhe se Rusia “do të paguajë” për agresionin e saj.

“Ukrainasit qëndrojnë në solidaritet me popullin e Gjeorgjisë dhe i falënderoj të gjithë shtetasit gjeorgjianë që po mbrojnë lirinë së bashku me ne”, tha ai.

Qindra ushtarë dhe civilë nga të dyja palët u vranë gjatë luftës së vitit 2008. Kombet e Bashkuara ka thënë se afër 120.000 u zhvendosën si pasojë e luftës, edhe pse shumica e tyre janë kthyer nëpër shtëpi pas konfliktit. /REL/

Rruga Press

YouTube player