Gjashtë muaj luftë: Pesë gjërat që duhen shikuar në luftën Rusi-Ukrainë
Pak para agimit të 24 shkurtit, gjithçka ndryshoi: për Ukrainën, para së gjithash, por edhe për Rusinë.
Gjërat gjithnjë e më shumë po ndryshojnë edhe për pjesën më të madhe të Evropës sa i përket paqes dhe prosperitetit që ka mbretëruar që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pushtimi rus – një përshkallëzim nga lufta në shkallë më të ulët që po vazhdonte në lindje të Ukrainës që nga viti 2014 – ishte i paparashikuar nga shumë njerëz.
Përjashtim këtu bënin Shtetet e Bashkuara, shteti që paralajmëroi se diçka e tillë mund të ndodhte.
Gjashtë muaj pas kësaj, konflikti tani është shndërruar në një luftë shkatërruese, sipas ekspertit ushtarak, Lawrence Freedman.
Ai e përshkroi kështu luftën: “Dy boksierë të dehur, duke shkëmbyer goditje pas goditjeje, por të paaftë për të nokautuar kundërshtarin”.
Por, cilat janë shanset që të ketë një ‘nokaut’ në ditët, javët apo muajt në vijim?
Kjo mund të varet shumë se çfarë ndodh jashtë ringut të boksit, aq sa edhe nga ajo që ndodh brenda tij.
“Në gjashtë muajt e ardhshëm, lufta ka të ngjarë të hyjë në një fazë të zierjes, me humbje ekonomike dhe ushtarake që do të shterojnë të dyja palët”, tha Maria Shagina, hulumtuese për sanksionet ekonomike, standardet dhe strategjinë në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike në Berlin. “Bisedimet për gjetjen e një kompromisi do të bëhen më të zëshme”.
Më poshtë mund të mësoni për pesë gjërat që duhen shikuar në të ardhmen e afërt dhe të largët:
Janë ekonomitë, natyrisht
Në parashikimin e fundit, të publikuar më 17 gusht, Ministria e Ekonomisë së Rusisë parashikoi se Bruto Prodhimi Vendor do të tkurrej për 4.2 për qind deri në fund të vitit dhe se inflacioni do të jetë 13.4 për qind.
Këto dhe parashikimet e tjera janë më të mira sesa parashikimet paraprake të bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucione të tjera që kanë parashikuar tkurrje të ekonomisë ruse. Tkurrja ende mund të ndodhë.
Bankës Qendrore të Rusisë i është besuar një veprim i shpejtë dhe efektiv për të zbutur efektet e sanksioneve perëndimore që u vendosën pas pushtimit të 24 shkurtit.
Por, për shumë ekspertë, sanksionet ende nuk kanë prekur plotësisht ekonominë.
Ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit, ngrirja e tregut të kredive, mbyllja e tregjeve të huaja, bllokimi i importeve, rritja e papunësisë, mungesa e mallrave të konsumit: Ndikimi i plotë i sanksioneve pritet të vërehet gjatë muajve të ardhshëm.
“Gjerësia dhe ashpërsia e këtyre veprimeve ndryshojnë shumë dhe efektet e plota të tyre në ekonominë ruse ende nuk po vërehen plotësisht, siç janë implikimet e lidhura me aktivitetin ekonomik me shtetet e tjera”, tha Chad Brown, ekonomist dhe bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Ekonomi Ndërkombëtare, Peterson, me seli në Uashington.
“Cilësia dhe sasia e mallrave të konsumit që janë të qasshme, madje e produkteve ushqimore, do të bien. Inflacioni do të godasë edhe më tej pagat. Fabrikat në mbarë vendin do të ndalin punën dhe punëtorët ose do të largohen nga puna ose do të pezullohen”, tha Daniel Treisman, politolog dhe ekspert mbi politikat ruse në Universitetin e Kalifornisë.
“Kjo pritet që të gjenerojë pakënaqësi, që mund të ketë ndikim negativ, shto këto edhe ndjenjën se lufta po shkon keq, nëse vërtetë është kështu”, shtoi ai.
Dhe më pas është ekonomia e Ukrainës. E shkatërruar nga sulmet ruse, Bruto Prodhimi i Brendshëm i Ukrainës do të tkurret përgjysmë, sipas Bankës Botërore.
Këto vlerësime pritet të përkeqësohen për aq kohë sa vazhdojnë luftimet.
Eksportet bujqësore, që ishin të ndaluara deri vonë për shkak të bllokadës ruse në portet ukrainase në Detin e Zi, kanë rifilluar rishtazi.
Deficiti buxhetor i Qeverisë në muajin maj arriti në 4 miliardë dollarë. Ndërkaq, në qershor deficiti u rrit në pothuajse 6 miliardë dollarë.
Shtetet perëndimore dhe institucionet financiare kanë premtuar miliarda euro mbështetje për buxhetin e Ukrainës, por vetëm një pjesë e kësaj shume të premtuar deri më tani i është dhënë Ukrainës, kanë thënë nga Instituti për Ekonomi Botërore, Kiel, me seli në Gjermani.
Aftësia e Ukrainës që të ketë qëndrueshmëri fiskale dhe të jetë funksionale, teksa vazhdon të financojë luftën, do të varet në një masë të madhe nga gatishmëria e shteteve perëndimore që të hapin kuletat e tyre.
Në maj, kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, tha se rindërtimi i shtetit pas përfundimit të luftës do të kushtojë përafërsisht 750 miliardë dollarë.
Ky vlerësim mund të merret për bazë nëse lufta nuk vazhdon pafundësisht.
Dimri po vjen
Javën e kaluar, shumë shtete evropiane u shtangën pasi gjiganti shtetëror rus i gazit, Gazprom, papritur njoftoi për planet e një ndalimi treditor të furnizimeve përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore.
Me sa duket, shkaku i ndërprerjes ishte “mirëmbajtja”. Por, ky njofton pasoi një ndërprerje të mëhershme 10-ditore të furnizimeve me gaz, që ngadalësoi përpjekjet e konsumatorëve evropianë për të mbushur rezervat e gazit para stinës së dimrit. Po ashtu, njoftimi i Gazpromit rriti shqetësimet se Kremlini me të vërtetë po synon që përdor pozicionin e tij dominues si furnizuesi kryesor i gazit për Evropën – por edhe i naftës, në një nivel më të ulët – për të ndëshkuar bllokun evropian për mbështetjen që po i jep Ukrainës dhe për vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.
Disa shtete evropiane mund të përballen me një situatë të vështirë gjatë dimrit. Gjermania po tenton që të ulë konsumin e energjisë dhe po i kërkon ndërtesave publike që të ulin termostatet. Po ashtu, po kërkon që pishinat dhe palestrat sportive të mos përdorin ujë të ngrohtë si dhe po e shqyrton mundësinë që t’i riaktivizojë centralet bërthamore për të prodhuar energji.
“Na pret një dimër mjaft kritik”, tha ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, gjatë vizitës në Kanada së bashku me kancelarin Olaf Scholz. “Ne duhet të presim që [presidenti rus, Vladimir] Putin të zvogëlojë edhe më shumë furnizimet me gaz”, shtoi ai, sipas Bloomberg.
Trupi ekzekutiv i Bashkimit Evropian u ka bërë thirrje shteteve anëtare që të përgatiten për një ndërprerje të plotë të furnizimeve me gazin rus.
Megjithatë, disa ekspertë theksojnë se Rusia po ashtu varet nga Evropa për të shitur gazin dhe për të gjeneruar të ardhura nga eksporti, diçka që Kremlini ka shumë nevojë, edhe për të mbrojtur ekonominë nga tkurrja, por edhe për të vazhduar financimin e luftës.
Të ardhurat nga eksporti mund të pengojnë gatishmërinë e Gazpromit që të urdhërojë ndërprerjen e plotë të furnizimeve.
“Kremlini është i vetëdijshëm që ka hapësirë të kufizuar për të përfituar nga furnizimet e energjisë, veçanërisht të gazit”, tha Shagina. “Nuk mund të përjashtohet plotësisht mundësia që Gazpromi të ndërpresë krejtësisht furnizimet me gaz për Evropën. Por, ka shumë të ngjarë që kjo strategji po përdoret për të nervozuar shtetet evropiane duke zvogëluar furnizimet me gaz pa njoftim paraprak”.
Politika lokale
Para 24 shkurtit, Volodymyr Zelensky – që kishte korrur fitore bindëse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 – po përballej me rënie të popullaritetit. Ukrainasit ishin zemëruar me udhëheqjen e tij mes shqetësimeve se shteti nuk po bënte mjaftueshëm për të luftuar korrupsionin dhe për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të vendit, që kishte nisur më 2014.
Që nga pushtimi i Rusisë, popullariteti i Zelenskyt është rritur. Sondazhet e realizuara në maj treguan se pothuajse 90 për qind e ukrainasve kishin mendim pozitiv për lidershipin e tij; 85 për qind e të anketuarve deklaruan se ata i besonin plotësisht atij si president. Megjithatë, mbështetja për partinë e tij, sipas sondazheve, ishte jashtëzakonisht më e ulët.
“Kjo është një mbështetje e bazuar në politikën e tij, guximin dhe aftësinë për të fituar mbështetje perëndimore për Ukrainën, veçanërisht për marrjen e furnizimeve me armë”, tha Orysia Lutsevych, menaxhere e Forumit për Ukrainën në Programin e Rusisë dhe Euroazisë në Chatham House në Londër. “Retorika dhe veprimet e Zelenskyt janë në përputhje të plotë me mënyrën sesi ukrainasit e imagjinojnë fitoren ndaj Rusisë”.
Megjithatë, ajo tha se ukrainasve dikur do t’iu humbë durimi, veçanërisht nëse lufta vazhdon dhe dimri bëhet sfidues.
“Ukraina është si një anije gjatë një stuhie që duhet të riparohet në mënyrë që të mos fundoset”, tha ajo. “Ky dimër do të jetë shumë i vështirë për shumë familje dhe kjo mund të krijojë presion politik. Por, për aq kohë sa zgjat faza e luftës aktive, të gjithë lojtarë kryesorë politikë që janë aktualisht, do të jenë të përqendruar në përpjekjet e luftës dhe nuk do të sfidojnë Zelenskyn. Shoqëria mbetet e bashkuar karshi armikut të jashtëm”.
Por, për Putinin llogaritë janë më ndryshe.
Edhe para pushtimit, Kremlini nisi gradualisht të shtypte shoqërinë civile ruse, mediat e pavarura dhe këdo që nuk pajtohej me politikën ruse. Pas 24 shkurtit, rrëshqitja e Rusisë drejt autoritarizmit të plotë u përshpejtua, teksa qytetarët u burgosën vetëm për faktin se bënë pyetje rreth luftës në Ukrainë, ose e kritikuan atë.
Por, Kremlini ende është i ndjeshëm ndaj opinionit publik. Një numër i rajoneve ruse do të mbajnë zgjedhje për guvernatorë në javët në vijim, por administrata presidenciale e Putinit ka ndërmarrë masa që të sigurohet që kandidatët e saj të preferuar do të dalin të parët dhe këto përpjekje të Kremlinit janë sfiduar pak nga publiku.
“Sërish, Kremlini do të reagojë ashpër ndaj çdo proteste”, tha Treisman. “Por, sa i përket aspektit ekonomik, ata mund të ndihen më të kufizuar pasi e dinë se një shumicë e madhe e rusëve ndajnë të njëjtën pakënaqësi. Shtypja e protestave për çështjet ekonomike, mund t’i shndërrojë ata në martirë. Kështu që gjërat do të komplikohen edhe më shumë”.
“Nuk pres që kjo, në terma afatshkurtër, të paraqesë ndonjë kërcënim të rëndësishëm politik për Kremlinin, por megjithatë as këtë mundësi nuk mund ta përjashtojmë”, tha ai. “Në çdo rast, menaxhimi i trendëve të përkeqësuar ekonomikë, i opinionit publik, dhe ndoshta edhe pozicioni ushtarak do të kërkojë më shumë aftësi dhe kujdes. Kjo nuk do të jetë e lehtë”.
Perëndimi, i lodhur nga lufta
Në Gjermani, Scholz po përjeton rënien e popullaritetit në nivelet më të ulëta qëkur mori detyrën e kancelarit në dhjetor.
Në Britani, Partia Konservatore në pushtet po përpiqet të gjejë zëvendësuesin e kryeministrit, Boris Johnson, i cili dha dorëheqje nga udhëheqja e Qeverisë, teksa paralajmëroi po ashtu për mungesë të gazit për ngrohjen e shtëpive për shkak të ndërprerjes së mundshme të gazit nga Rusia.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara për vite me radhë kanë qenë furnizuesi më i madh i Ukrainës për armatim dhe furnizimet janë rritur në mënyrë dramatike qëkur nisi pushtimi: nëntë miliardë dollarë pajisje ushtarake që nga 24 shkurti.
Por, popullariteti i presidentit amerikan, Joe Biden, ka rënë kryesisht për shkak të pakënaqësisë së amerikanëve me rritjen rekorde të inflacionit, të çmimeve të karburanteve dhe për shkak të kufizimeve kundër COVID-19. Lideri amerikan mund të përballet edhe me humbjen e kontrollit të Kongresit nga Partia Demokratike gjatë zgjedhjeve të nëntorit.
Një numër gjithnjë e më i madh i ekspertëve kanë paralajmëruar se mbështetja perëndimore për Ukrainën vihet në rrezik nëse lufta zgjatet më shumë. Ky rrezik do të dyfishohet nëse gjatë këtij dimri do të ketë ndërprerje të mëdha të energjisë në Evropë apo nëse do të ketë edhe ndonjë rritje të madhe të çmimeve të karburanteve në SHBA.
“Ky dimër do të testojë vendosmërinë e Evropës dhe do të tregojë se sa e madhe është lodhja nga lufta në Ukrainë”, tha Shagina. “Teksa problemet ekonomike rriten, Rusia do të tentojë të rrisë kostot për evropianët – duke mbjellë mospajtim dhe duke tentuar që të zvogëlojë ndihmën ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën”.
Në një sondazh të realizuar në maj, ku morën pjesë 8.000 të anketuar evropianë, Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë gjeti se shumica e evropianëve mbështesnin Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë, por ishin të ndarë për qëllimet afatgjata. Sondazhi gjeti se 35 për qind e të anketuarve donin që lufta të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërkaq 22 për qind shprehën mendimin se duhet që Rusia të ndëshkohet më shumë.
Në Suedi, Gjermani, Poloni dhe Finlandë, sondazhi gjeti se kishte një mbështetje të madhe të publikut për rritjen e shpenzimeve për ushtrinë.
Por, ky sondazh është realizuar tre muaj më parë.
Sa u përket amerikanëve, një sondazh i publikuar nga Këshilli i Çikagos për Çështje Globale, gjeti se 80 për qind e të anketuarve mbështesnin sanksionet ekonomike dhe diplomatike të SHBA-së kundër Rusisë, 72 për qind mbështesnin ofrimin e më shumë armëve dhe pajisjeve ushtarake Ukrainës dhe 71 për qind thanë se mbështesin ndihmën ekonomike për Ukrainën.
Edhe nëse Partia Republikane merr kontrollin e Kongresit në nëntor, mbështetja e fuqishme për Ukrainën ka shumë gjasa që të vazhdojë.
Paqe pa fitore
Gjëja më e rëndësishme që duhet shikuar në muajt e ardhshëm është: Kush do të fitojë?
Në fushëbetejë, linjat e frontit kanë lëvizur pak në këto javët e fundit. Në rajonin lindor të Donbasit, forcat ruse pretenduan se kanë marrë të gjithë rajonin e Luhanskut dhe kanë sulmuar disa qytete kryesore, përfshirë Bakmutin. Por, mbrojtësit ukrainas, në masë të madhe, i kanë rezistuar mirë ofensivës ruse.
Një shpjegim për këtë është se Rusia po lëviz disa batalione taktike në jugperëndim, për t’u përgatitur për kundërofensivën ukrainase në rajonin e Hersonit.
Në Herson, forcat ukrainase, të armatosura me armë mjaft precize amerikane, të njohura me shkurtesën HIMARS, kanë goditur ura, depo municionesh, pika komanduese dhe caqe të tjera të rëndësishme. Një sërë zonash në Krime, gadishullin ukrainas që Rusia e okupoi më 2014, gjithashtu janë goditur, por Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet.
Rusia po ashtu besohet gjerësisht se ka probleme të mëdha me personelin, teksa komandantët po kanë vështirësi që të zëvendësojnë radhët, pa shpalljen e një mobilizimi të përgjithshëm.
Pyetja e saktë, sipas analistëve, nuk është se kush do të fitojë, por: Si do të duket fitorja?
Për Ukrainën, përgjigja në këtë pyetje do të ishte rimarrja e kontrollit në tërë Donbasin, përfshirë edhe të pjesëve që kanë qenë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë që nga viti 2014, dhe marrja e kontrollit të Krimesë. Gjatë një adresimi në orët e vona të 10 gushtit, Zelenksy pyeti: “Kur do të përfundojë lufta?”
“Kjo pyetje realisht varet nga pyetja se sa humbje do të përjetojë Rusia. Sa më shumë humbje që përjeton okupatori, aq më shpejt ne do të mund të çlirojmë tokën tonë dhe të ofrojmë siguri në Ukrainë”, tha ai. “Për këtë duhet të mendojnë të gjithë ata që mbrojnë shtetin tonë dhe ndihmojnë Ukrainën: si të shkaktohen humbje të mëdha ndaj okupatorit në mënyrë që lufta të përfundojë më shpejt”.
Për Rusinë, përgjigja në këtë pyetje është më e ndërlikuar për faktin se Kremlini vazhdon të ndryshojë justifikimet e tij për nisjen e luftës.
Fillimisht justifikimi ishte “çmilitarizimi dhe denazifikimi”. Ky justifikim i referohen pretendimit të rremë të Kremlinit se Qeveria e Ukrainës udhëhiqet nga neo-nazistët, një pretendim që Moska e përdorur rregullisht që nga protestat e Maidanit të viteve 2013-2014, që kulmuan me rrëzimin nga pushteti të presidentit pro-rus të Ukrainës.
Justifikimi i dytë i referohet asaj që Moska tha se ishte një kërcënim serioz për sigurinë ruse nëse Ukraina do t’i bashkohej NATO-s, ose të lejonte aleancën që të vendoste trupa dhe armë në shtet.
Por, Rusia po ashtu është justifikuar duke pretenduar se po kryhet “gjenocid” ndaj popullatës rusisht-folëse në lindje të Ukrainës, një pretendim që vazhdimisht është hedhur poshtë.
“Qëllimet e këtij operacioni janë të qarta dhe të definuara mirë: Ato janë për të ofruar siguri për Rusinë dhe qytetarët e saj, për të mbrojtur banorët në Donbas nga gjenocidi”, tha Putini gjatë konferencës së sigurisë në Moskë të mbajtur javën e kaluar.
Gjatë fjalimit të njëjtë, Putin tha se konflikti nuk ishte ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, por ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. Ky pretendim është thënë hapur edhe nga shumë zyrtarë të lartë rusë.
Në një shkrim, Freedman, profesor i Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës, parashikoi se momentumi në luftë është në anën e Ukrainës.
“Pozicioni i ushtrisë ruse po përkeqësohet dhe mbështetja e Perëndimit për Ukrainën ende nuk është zbehur”, shkroi ai. “Prandaj, këto trende favorizojnë Ukrainën”.
Kremlini “duhet ta kuptojë se sa gjatë mund të vazhdojë të pretendojë se është në rrugën e fitores”, tha ai. /Rel/
Rruga Press