Lajme

Gërvalla reagon ndaj kritikave të Opozitës, i akuzon për pazare e krime politike

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se në ditën kur me kryeministrin Albin Kurti do të marrin pjesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku do të ballafaqohen me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, opozita “ka zgjedhur për të debatuar rreth MPJD-së”.

Ajo kritikoi vendimin e opozitës për të refuzuar propozimin për shtyrjen e kësaj pike të rendit të ditës për seancën e ardhshme, duke thënë se nuk i shmanget asnjë debati dhe mezi pret të flasi.

Ajo ka theksuar se do të diskutohet për keqmenaxhimin e parasë publike edhe për punësimet e jashtëligjshme, familjarizimin dhe shkeljet konstante të ligjit në këtë ministri.

Lexo më shumë  Miratohet Kodi i Sjelljes për deputetët, ata që ofendojnë dhe bëjnë shkelje tjera do të dënohen me 50 përqind të pagës së tyre

“Meqenëse detyra ime ma kërkon që sot të jem në Nju Jork dhe nga pamundësia që të jem e pranishme në atë seancë të Kuvendit, dua të përcjell mesazhin që jo vetëm që nuk i shmangem asnjë debati dhe asnjë hetimi, por mezi po pres që të flasim edhe për keqmenaxhimin e parasë publike edhe për punësimet e jashtëligjshme, familjarizimin dhe shkeljet konstante të ligjit në këtë ministri. Mezi po pres!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo ka thënë se Qeveria e ka kryer reformën më të thellë në këtë institucion, duke vendosur në çdo segment si kriter të vetëm ligjin si brenda ministrisë, ashtu edhe në misione diplomatike jashtë vendit.

Lexo më shumë  Tensione para bashkisë/ Protestuesit heqin gardhin metalik, përplasen me policinë

Mes tjerash ajo ka thënë se “ka vdekur koha e pazareve dhe emërimeve të ambasadorëve dhe konsujve nëpër kafene, telefonata të stilit pronto dhe në oda, të shpenzimeve marramendëse për udhëtime dhe hotele, të shitjes së pasaportave nëpër stacione trenash dhe pika karburanti, të sorollatjes me pasaporta dhe targa diplomatike dhe lloj-lloj malli nëpër ato vetura, të tonit harbut ndaj qytetarëve nëpër konsullata”.

Për të gjitha akuzat e përmendura, ministrja Gërvalla ka thënë se mezi po pret të flasin edhe në Kuvend por edhe në publik.

Rruga Press

YouTube player