KryesoreLajme

Gërvalla në New York: Kosova ka vendosmëri për integrim euroatlantik

Në takimin e Kartës ShBA-Adriatik (A-5) në New York, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrimin euroatlantik dhe shtoi se Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për të kontribuar për paqe dhe stabilitet.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se Gërvalla theksoi se integrimi i plotë i Kosovës dhe atyre vendeve të rajonit, të cilat kanë orientim perëndimor në strukturat euroatlantike është i domosdoshëm për të garantuar një rajon të qëndrueshëm dhe për të përballuar sfidat e reja të sigurisë, të intensifikuara nga ndikimet negative të Rusisë dhe aleatëve të saj në rajon.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Ajo, tutje kërkoi për një bashkëpunim më parimor në mes të vendeve të A-5, për të përballuar së bashku sfidat e sigurisë, të cilat paraqesin rrezik serioz për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin dhe Evropë, duke vënë në pah se integrimi euroatlantik i Kosovës dhe rajonit është jetik për ndërtimin e një të ardhme të qëndrueshme dhe paqësore. Përmes rolit të saj në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, Kosova është e gatshme të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin global.

“Anëtarësimi i plotë i Kosovës në Kartën e Adriatikut do të përforconte përpjekjet për një rajon më të qëndrueshëm dhe të integruar. Prandaj nevojiten veprime të përbashkëta për t’i rezistuar kërcënimeve të përbashkëta dhe për të garantuar paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm në rajon”, tha Gërvalla.

Gërvalla mori pjesë në takim me ftesë të kryesuesit, ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani. 

YouTube player