Gërvalla: Drafti siguron respektimin e Kushtetutës dhe pamundëson ndërhyrjet nga jashtë
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se letra drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, përmban zotimin që Qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimi e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Sipas saj ky mekanizëm përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës.
“Letra përmban zotimin që Qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimi e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serbe të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”, ka shkruar Gërvalla në rrjetin social Facebook.
Edhe pse në letër thuhet se drafti do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim deri në fund të majit, Gërvalla ka shkruar si ai siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë, sipas saj pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë.
“Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat. Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”, ka shkruar Gërvalla.
Tutje ajo ka shkruar se pas zotimit të bërë në këtë letër, presin nga Këshilli i Evropës që të që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë.
“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte”, ka shkruar Gërvalla.
Tutje ajo ka thënë se “Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”.
Rruga Press