Gazetarja e RTV Ora: 18 mln euro do të kalonin nga Shqipëria në Hong Kong, Taçi merrte 16% të shumës
Gazetarja e RTV Ora në Itali Alba Kepi ka treguar detaje të reja lidhur me operacionin e SPAK dhe Antimafies italiane lidhur me pastrimin e parave nga Cosa Nostra, ku i përfshirë rezulton edhe biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi.
Alba Kepi tha se kjo dosje konfirmon faktin se Shqipëria përdoret për të pastruar para të mafias italiane.
Ajo shpjegoi skemën se si do të bëhej transferimi i më shumë se 18 milionë eurove nga Zvicra në Shqipëri dhe më pas në Hong Kong.
Kepi tha se si përftimin për këtë transfertë biznesmeni shqiptar dhe miqtë e tij do të përfitonin 16% të totalit të shumës.
Kepi:Kjo dosje konfirmon faktin se Shqipëria përdoret për të pastruar para të mafias italiane. Paratë po përpiqeshin të pastroheshin për llogari të Cosa Nostras. Një rol të rëndësishëm në dosje ka pasur edhe prokuroria Antikorrupsion e Shqipërisë e cila ka sinjalizuar atë që po ndodhte në Shqipëri. Në të pohohet roli i brokerit Italian, Daniele Castagalli dhe sipërmarrësit shqiptar Rezart Taçi që ishin afruar për të pastruar këto para nga një bankë në Zvicër në Shqipëri. Skema përfshinte një shumë prej 23 milionë euro, ku 4 milionë euro ishin përfshirë në një bond argjentinas. Këto para do të mbërrinin nga Zvicra dhe pastaj nga banka greke në Shqipëri, e më pas do të shkonin në Hong Kong. Transferta do të bëhej nga kompania e Petroliere nga Rezart Taçi. Përgjimet kanë konfirmuar dakordësinë që Daniele Castagalli dhe Taçi do të merrnin 16% të shumës së transferuar.
Supozohet Fabio Petruzzella dhe Francesco Zummo kanë ardhur në Shqipëri dhe pastaj kanë shkuar në Mal të zi ku atje janë bërë takimet për skemën. Francesco Zummo tashmë është në arrest shtëpie dhe njihet si një person që ka pastruar paratë e Cosa Nostras. I gjithë ngërçi i kësaj çështje është se llogari bankare e hapur nga Zummo ishte bllokuar dhe ishte e bërë e pamundur që të shkonte drejt Hong Kongut. Ky bllokim ka bërë që dy miqtë e Taçit dhe brokeri italian kanë rënë dakord që ta ndihmonin biznesmenin italian duke paguar ryshfete mjaft personave që mund të realizonin transferimin e këtyre parave.
Rruga Press

