KryesoreLajme

FSK-ja drejt përmbylljes së fazës së parafundit për t’u bërë ushtri

Me rikthimin e saj në ushtrimin më të madh “Defender Europe 2025”, pasi vitin e kaluar iu pezullua aktiviteti, Forca e Sigurisë synon ta validojë edhe regjimentin e tretë të këmbësorisë, me çka përmbyllet edhe faza e dytë e tranzicionit të kësaj force drejt një ushtrie operacionale. Por njohës të sigurisë thonë se kjo fazë ka mundur të përshpejtohet për shkak të zhvillimeve dhe sfidave, me të cilat ballafaqohet sektori i sigurisë

Me finalizimin e dy aktiviteteve të fundit, Forca e Sigurisë së Kosovës synon ta përmbyllë fazën e dytë të Planit Gjithëpërfshirës drejt transformimit në ushtri. Këtë muaj është validuar regjimenti i dytë i këmbësorisë, e në vitin e ardhshëm pritet të validohet edhe regjimenti i tretë në kuadër të ushtrimit “Defender Europe 2025”, ka konfirmuar Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Vitin e kaluar, FSK-së iu pezullua ky ushtrim pas sanksioneve që iu vunë Kosovës për shkak të tensioneve në veri. Edhe pse Kosova ishte një nga vendet nikoqire të kësaj stërvitjeje, ajo nuk mundi ta çonte deri në fund aktivitetin, pasi më 30 maj ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pati thënë se “për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”.

Stërvitja “Defender Europe 23”, e cila udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara ka objektiv krijimin e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërinë mes SHBA-së, NATO-s dhe vendeve partnere.

Ejup Maqedonci ka deklaruar se faza e dytë po shkon sipas planifikimeve të bëra dhe se Kosova do të jetë pjesë e këtij ushtrimi vitin e ardhshëm. 

“Forca e Sigurisë së Kosovës po arrin objektivat e parapara me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, bazuar në afatet kohore dhe bazuar në kërkesat që dalin nga ky plan. Gjatë këtij muaji, është validuar edhe regjimenti i dytë i këmbësorisë që ka shënuar edhe kulmimin e arritjes së këtij plani për këtë vit. Pas validimit të regjimentit të parë të këmbësorisë vitin e kaluar dhe regjimentit të dytë të këmbësorisë këtë vit, në vitin e ardhshëm në kuadër të ushtrimit ‘Defender Europë 2025’ do të bëhet edhe validimi i regjimentit të tretë të këmbësorisë dhe kështu përmbyllet faza e dytë e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të kaluar pastaj normalisht në fazën e tretë, ku do të ndërtohen kapacitetet e tjera”, ka thënë Maqedonci pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën. 

Ai më tej ka theksuar se bashkë me Komandantin e Forcës së Sigurisë të Kosovës janë të përkushtuar që këtë plan ta arrijnë në afatet kohore. 

“Për këtë qëllim kemi pasur mbështetjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si në aspektin e buxhetit, gjithashtu edhe mbështetjen administrative. Por edhe mundësitë që na janë krijuar që Forca e Sigurisë së Kosovës të ketë lokacione të reja, sikurse Aeroporti i Dumoshit, që është një lokacion strategjik për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës”.  

Lexo më shumë  Strategjia katërvjecare e opozitës në Kosovë

Sipas Maqedoncit, vendimi i kryeministrit për hapjen e fabrikës së municionit dhe laboratorit për dizajnimin e dronëve, nuk ndërhyjnë në aspektin e planit të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. 

“Plani normalisht se do të zhvillohet bazuar në objektivat e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit të hartuar në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hapja e fabrikës shtetërore të municionit do t’i kontribuojë qëndrueshmërisë logjistike jo vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe për ministritë e tjera, të cilat kanë në posedim armatim dhe për të cilat nevojitet municion.

Për këtë arsye, ne në diskutime jemi fokusuar që të gjitha prodhimet në Kosovë të bëhen sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë Maqedonci. 

Faza e dytë lidhet me funksionalizmin e planifikimit në fushën e mbrojtjes me armatim personal dhe kolektiv, përkatësisht me sistemet e nevojshme që kjo strukturë ka. 

Gjatë fazës së dytë të tranzicionit, Kosova kontraktoi edhe blerjen e raketave anti-tank, Javelin. Një pagesë është kryer në pjesën e parë të këtij viti, pasi më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen e mundshme për Kosovën të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë për Kosovën. Kërkesa i ishte dërguar Kongresit Amerikan, i cili miratoi blerjen në shkurt të këtij viti. 

Departamenti Amerikan i Shtetit, pati deklaruar se shitja e armëve në Kosovë mbështet qëllimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të SHBA-së.  

Sistemi raketor që drejtohet automatikisht, dhe arrin distancën deri në 4.000 metra, u bë i njohur në luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër Rusisë. 

Mbështetëset kryesore në armatosjen e Kosovës janë Shtetet e Bashkuara, Turqia, Gjermania, Britania, Italia e Kroacia.

Ish zëvendësministri i Forcës së Sigurisë, Bejtush Gashi, i cili ka qenë pjesë e ekipit për planifikimin e tranzicionit, thotë se faza e dytë 2021-2025 ka mundur përshpejtohet si rezultat i zhvillimeve dhe sfidave, me të cilat përballet sektori i sigurisë. 

“Realisht, pritjet e mia kanë qenë që dinamika do të jetë më e shpejtë, mirëpo ajo nuk ka ndodhur. Shpresojmë se vitet në vijim do të përmbyllet projekti për faktin se raportet aktuale mes Kosovës dhe mbështetësve të saj për ta përgatitur këtë forcë që të jetë pjesë integrale e strukturave ndërkombëtare, mund të marrë kohë. Për ta përfunduar projektin duhet edhe një vlerësim i institucioneve ndërkombëtare, përkatësisht i NATO-s, për t’i dhënë vlerësimet se struktura e Forcës së Sigurisë për Kosovës përmbush standardet që kërkohen në fushën dhe përgjegjësitë që ka ajo për të mbuluar në sektorin e mbrojtjes, në rrafshin kombëtar dhe përgjegjësitë që ajo strukturë mund t’i marrë edhe në aspektin ndërkombëtar”, ka potencuar Gashi. 

Lexo më shumë  Buxheti/ Sa paguajmë në 2025 për inceneratorin e Tiranës, që nuk ekziston

Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, përgjegjësitë e reja të FSK-së përfshijnë ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare. 

Në periudhën prej pesë vitesh parashihet edhe rritja e numrit të këmbësorisë mbrojtëse të FSK-së, e cila do të përbëhet nga 5 mijë trupa aktive. 

Anëtarësimi në NATO mbetet prioriteti më i rëndësishëm diplomatik dhe i sigurisë, krahas anëtarësimit në Bashkimin Evropian. 

Deri tash ka munguar avancimi i raportit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës, më shumë se gjashtë vjet pas miratimit të pakos së ligjeve për shndërrimin e FSK-së nga një mandat për mbrojtje civile e reagim emergjent në forcë mbrojtëse.

NATO-ja pati kërkuar që transformimi të bëhej me ndryshime kushtetuese. Për shkak të pamundësisë që të bëhen këto ndryshime shkaku i kundërshtimit të Listës Serbe, Kosova i dha start tranzicionit të FSK-së përmes ndryshimeve ligjore. 

Ndonëse një numër vendesh e konsideronin të drejtë sovrane të Kosovës tranzicionin drejt ushtrisë, rezervat ishin shprehur edhe për shkak të kohës kur u mor vendimi.  

Por, Gashi vlerëson se kjo situatë mund të ndryshojë. Sipas tij, vlerësimet për përmbushjen e standardeve nga ana e FSK-së bëhen nga dy misione të pranishme të NATO-s, një në rrafshin politik dhe një jetë në rrafshin profesional.

“Në përfundim të projektit është praktikë dhe i mirëseardhur një vlerësim nga institucionet kredibile për ta përfunduar projektin dhe investimet në këtë fushë. Andaj aktualisht procesin, në të cilin po ecën Forca e Sigurisë të Kosovës, një mundësi e tillë ekziston. Mbështetur në performancën që ky sektor ka, jam shumë i sigurt se do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë që edhe Forca e Sigurisë së Kosovës brenda një afati optimal të jetë anëtare e NATO-s dhe strukturave të tjera të sigurisë në nivelin evropian”, ka thënë Gashi. “Këtu pritet, sipas disa parashikimeve, që edhe Evropa në të ardhmen e afërt, të ketë strukturën e saj të sektorit të sigurisë edhe ne si pjesë e kontinentit evropian dhe pjesë e investimeve në rrafshin e integrimeve evropiane, duhet të bëjmë përpjekje që të jemi të integruar edhe në strukturat e tjera, të cilat planifikohen të formohen në të ardhmen e afërt”.

Kosova është pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, mekanizëm ky i lidhur me objektivat e NATO-s për paqe e stabilitet në Evropë, si dhe ka marrë pjesë në operacionet për mbështetjen e paqes në Kuvajt, bashkë me trupat amerikane. /koha.net/

YouTube player