FSHF-ja nuk e përmend që Evropianin 2027 e organizon së bashku me Federatën e Serbisë
“Një nga vendimet e marra nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së në mbledhjen e fundit lidhet me investimet në infrastrukturë, në kuadër të përgatitjeve për finalet e Kampionatit Europian U-21 2027, që do të zhvillohen në Shqipëri”.
Kështu shkruan në fjalinë e parë të një njoftimi që Federata Shqiptare e Futbollit e ka publikuar të martën në faqen e saj zyrtare.
Por Evropiani 2027 organizohet në Shqipëri dhe Serbi. Organizatore e Evropianit të ardhshëm të Shpresave pos FSHF-së është edhe Federata e Futbollit e Serbisë.
Për këtë organizim të përbashkët me Serbinë, FSHF-ja mori kritika të shumta. Kritikat janë “qetësuar” së fundi, ndërsa FSHF-ja po e ndjek praktikën që mos ta përmend askund që Evropianin e organizon bashkë me Serbinë, përkatësisht me federatën e futbollit të këtij vendi. Serbia nuk përmendet fare nga FSHF-ja si organizatore, ndonëse drejtuesit e saj vazhdimisht kanë mbrojtur vendimin për një organizim të përbashkët me shtetin me qëndrime armiqësore ndaj Kosovës e shqiptarëve.
Kritikat për organizimin e Evropianit Shqipëri – Serbi erdhën kryesisht nga Kosova, por që janë zbehur pas finalizimit të vendimit nga UEFA.
Ndërkohë po vazhdojnë përgatitjet për Evropianin U21 të verës së vitit të ardhshëm.
“Komiteti Ekzekutiv miratoi kërkesën e Komisionit të Infrastrukturës për ndryshimin e tapetit të stadiumit ‘Air Albania’ , si dhe ndërhyrjen në bazament, me qëllim përmbushjen e standardeve më të larta të kërkuara nga UEFA për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe finaleve të këtij kompeticioni. Në të njëjtën linjë, Komiteti miratoi edhe projektin e paraqitur nga FK Partizani, që parashikon zëvendësimin e tapetit ekzistues të stadiumit, si dhe ndërtimin e dy fushave të reja stërvitore, në funksion të këtij eventi madhor. Në bashkëpunim me klubin, FSHF-ja do të realizojë investimin për të transformuar tapetin e fushës nga bar artificial në bar natyral, duke garantuar kushte optimale loje. Gjithashtu, një prej dy fushave të reja në kompleksin ‘Partizani’ do të jetë me bar natyral, e dedikuar për seancat stërvitore të skuadrave pjesëmarrëse gjatë turneut dhe tjetra me tapet artificial”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.
Federata Shqiptare ka njoftuar se punimet në dy stadiumet në Tiranë do të nisin së shpejti.
Evropiani në Shqipëri e Serbi do të zhvillohet me 16 ekipe përfaqësuese. Si nikoqire, Shqipëria e Serbia janë të kualifikuara direkt.
Rruga Press

