Fshati Bënjë kthehet në qendër historike
Fshati Bënjë në Përmet është kthyer në “qendër historike”.
Ky vendim është marrë ditën e sotmë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ndërkohë që është miratuar dhe plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e kësaj zone.
Sakaq Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor do të publikojë edhe hartën e “qendrës historike” të fshatit Bënjë.
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE “QENDËR HISTORIKE” TË FSHATIT BËNJË, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE TË SAJ DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN E ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, pika 3, shkronjat “a” e “ç”, dhe 96, pika 1, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore “qendër historike” të fshatit Bënjë, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Përcaktimin e zonës mbrojtëse të “qendrës historike” të fshatit Bënjë, sipas koordinatave dhe hartës së zonimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Vendimi nr.776, datë 2.11.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e qendrës historike të fshatit Bënjë dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth”, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartën e “qendrës historike” të fshatit Bënjë dhe të zonës mbrojtëse të saj në Gjeoportalin Kombëtar.
6. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Përmet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”