Kuriozitete

Frutat e ndaluara që rriten vetëm në Kalabri, hebrenjtë nga e gjithë bota në kërkim të tyre

Çdo verë, në përgatitje për festën hebraike “Sukkot”, rabinët nga e gjithë bota udhëtojnë në pjesën veriore të rajonit të Kalabrisë në Itali, për të zgjedhur frutat më të mira të qitrove. Për rreth dy javë, pemishtet përreth qytetit të Santa Maria del Cedro mbushen me rabinë anglezë, rusë dhe izraelitë. Me ndihmën e fermerëve vendas, ata inspektojnë pemët dhe analizojnë frutat, ndonjëherë edhe me xham zmadhues, në kërkimin të të përsosurave.

Më të lashta dhe aromatike nga agrumet e tjera, qitrot janë shumë më pak të njohura se limonët apo portokajtë. Ato ngjajnë me limonët e mëdhenj e të gjelbër, kanë më shumë lëkurë sesa tul dhe një aromë të fortë, ndaj nuk preferohen për t’u konsumuar. Për këto arsye, është e vështirë t’i gjesh në tregje apo dyqane.

Etrogut (në hebraisht qitrot) janë “frutat e pemës më të bukur”, ndoshta edhe frutat e ndaluara në Kopshtin e Edenit. Ndonëse ka shumë varietete të agrumeve në mbarë botën, një komunitet hebre beson se ai në Kalabri, i njohur si “Liscio Diamante”, është më i pastërti dhe më i përsosuri nga të gjithë.

Bima e qitros mbërriti në këtë rajon rreth 2000 vjet më parë, pas migrimeve të hebrenjve. Sipas Helena Attlee, autore e shumë librave, qitroja ishte e vetmja agrume që u rrit në Evropë derisa portokalli mbërriti 900 vjet më vonë, sjellë në Spanjë nga maurët arabë. Hebrenjtë u dëbuan nga Kalabria (dhe e gjithë Italia jugore) në vitin 1541, por lidhja e tyre me fermerët kalabrezë të qitrove vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Sipas hebrenjve chabad, kur Zoti e udhëzoi Moisiun të shkonte të kërkonte qitro për të përkujtuar 40 vjetët në shkretëtirë, ai dërgoi disa lajmëtarë nëpër botë të cilët u kthyen me frutat kalabreze. Që nga vitet 1960, rabini Moshe Lazar, i cili ndodhet në Milano, mbikëqyr personalisht procesin e zgjedhjes së tyre.

Sipas fermerëve vendas, era e ngrohtë nga deti takohet me erën e ftohtë nga malet dhe këto dy erëra balancohen në mes, duke krijuar klimën e përsosur për rritjen e qitrove. Kultivimi i tyre kryhet kryesisht në ferma ose kopshte të vogla familjare, duke iu kushtuar një përkujdesje shumë të veçantë. Pasi një pemë qitrosh rritet dhe konsiderohet e shëndetshme, rabinët vazhdojnë dhe inspektojnë çdo frutë, duke ndjekur rregulla të sakta. Frutat e përsosura duhet të peshojnë rreth 80 g, të kenë lëkurë krejtësisht të lëmuar (pa njolla, gunga apo parazitë) dhe nuk duhet të jenë as shumë të rrumbullakëta dhe as shumë të gjata. Qitrot e zgjedhura më pas vendosen në kuti dhe paketohen për t’u dërguar në Izrael, Evropë, Rusi dhe SHBA.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *