Francezët me zjarr, shqiptarët me fishekzjarr
Nga Lutfi Dervishi
Vendin e baguettes dhe beretave, francezët po e bëjnë rrëmujë. Shkaku? Një vendim i Presidenti Macon, për të rritur vetëm me dy vjet moshën e pensionit nga 62 vjeç në një 64 vjeç.
Francezët, të njohur për dashurinë e tyre të pa masë për kohën e lirë dhe verën e mirë, nuk e kuptojnë pse duhet të sakrifikojnë dy vjet të tjera punë kur mund të shijonin pensionin e merituar.
Ndërsa lajmi u përhap me shpejtësi, rrugët e Parisit u mbushën me aromën e gomave që digjen dhe zhurmat e qytetarëve të pakënaqur. Kulla Eifel, dikur një simbol i dashurisë dhe romancës, tani qëndron si një fener/pishtar proteste, me pankarta që kërkojnë anulimin e këtij vendimi të papëlqyeshëm. Kafenetë, dikur plot me njerëz të gëzuar dhe biseda të gjalla, tani vlojnë nga debatet e ashpra rreth moshës së pensionit.
E gjitha kjo nuk do të ndodhte nëse francezët do të ishin njoftuar në kohë se përtej detit Adriatik, qeveria shqiptare e rriti moshën e daljes në pension nga 60 në 65 vjeç…
Shqipëria, vendi i njohur për trazira dhe kaos, vendi ku për një “plesht djegin jorganin” këtë vendim e quajti “reformë të shkëlqyer”. Kafenetë e rrugët e Tiranës u mbushën me qytetarë të gëzuar, duke festuar me ngazëllim lajmin se do të punonin edhe pesë vite më shumë. Hareja dhe zhurma nga muzika u ngjitën aq lart sa Parlamenti u detyrua të mblidhej me urgjencë për të miratuar një ligj të ri për ndotjen akustike.
Arsyeja se pse francezët protestojnë sot dhe shqiptarët u gëzuan 8 vite më parë për rritjen e moshës së pensionit u zbulua vetëm kohët e fundit.
Shqiptarët kanë festuar për rritjen e moshës së pensionit se e kanë ditur që në këtë vend do të punojnë indianët, tajlandezët, afrikanët …dhe vetë do të shkojnë për azil, ndoshta në vende si Franca.
Rruga Press