Speciale

Franca Rame – Përdhunimi

Përktheu: Anxhela Lepuri


Në qendër të skenës vendoset një karrige, në të cilën do të ulet aktorja. Për të luajtur këtë pjesë është e domosdoshme që aktorja të veshë pantallona.
Dëgjohet një radio… por vetëm pas njëfarë kohe e ndiej… Vetëm pas njëfarë kohe kuptoj se dikush po këndon.
Po, dëgjohet një radio… muzikë e lehtë: qiell, yje, zemër, dashuri… dashuri…
Ngjeshur në kurriz, kam një gju, vetëm një… sikur ai që më qëndron nga pas të jetë duke e mbajtur tjetrin mbështetur përtokë… më përthyen duart, shumë fort, duke mi kthyer mbrapsht. Sidomos të majtën.
Nuk e di përse nis e mendoj se mos ndoshta është mëngjarash. Nuk po kuptoj asgjë se ç’po më ndodh. Kam hijen e dikujt, i cili është duke humbur mendjen, zërin… fjalën.
Ndërgjegjësohem për gjërat, me një lehtësi të pakuptueshme.
Zot, çfarë lëmshi!
Si hipa mbi këtë kamion? Hipa vetë me këmbët e mia, duke i hedhur njëra pas tjetrës, pas shtymës së tyre? Apo më hipën ata, duke më ngritur peshë?
Nuk e di.
Është zemra, që më rreh fort pas brinjëve, ajo që më ndalon të arsyetoj… është dhimbja në dorën e majtë, që po bëhet kaq e padurueshme.
Pse po ma përthyejnë kaq shumë? Unë as nuk po përpëlitem.
Shitohem.
Tani, ai që më qëndron nga pas nuk e mban më gjurin mbi shpinën time… është ulur rehat… më mban mes këmbëve… kaq fort… siç bëhej njëherë e një kohë, kur u hiqeshin bajamet fëmijëve. Është i vetmi imazh që më vjen në mendje.
Pse më shtrëngojnë kaq shumë? Unë nuk lëviz, nuk bërtas, nuk bëzaj.
Radioja këndon, jo dhe aq fort.
Përse kanë vënë muzikë? Përse e ulën zërin? Ndoshta sepse nuk po bërtas.
Përveç atij që më mban nga pas, janë edhe tre të tjerë.
I shoh: nuk ka dhe aq dritë… hapësirë po ashtu… ndoshta për këtë më mbajnë gjysmë të shtrirë.
Më duken të qetë. Të sigurt. Çfarë po bëjnë? Po ndezin një cigare.
Po tymosin? Tani? Përse më mbajnë kështu dhe ndërkohë tymosin?
Ka për të ndodhur diçka, e ndiej… Marr frymë thellë… dy a tre herë. Nuk vij në vete… Kam vetëm frikë. Më qaset njëri, një tjetër struket në të djathtën time, tjetrin në të majtën. Shoh flakërimën e cigareve.
Po i thithin shumë shpejt.
Më afrohen.
Po, ka për të ndodhur diçka… e ndiej.
Ai që më mban nga mbas, shtriqet i tëri… i ndiej përreth trupit tim. Nuk më ka shtrënguar më tepër, më ka tërhequr vetëm muskujt, si për të qenë gati për të më bërë zap.
I pari që më afrohet, më vendoset mes këmbëve… në gjunjë… dhe mi hap.
Është një lëvizje precize, që ngjan e njëkohshme me atë që më mban nga pas, sepse këmbët e tij vendosen bash mbi të miat për të më bllokuar.
Unë kam veshur pantallona. Përse mi hapin këmbët kur kam pantallonat mbathur?
Ndihem më keq se të isha lakuriq!
Nga kjo ndjesi më shpërqendron diçka që nuk e kuptoj menjëherë… një nxehtësi mbi gjoksin e majtë, si fillim e dobët dhe mandej akoma më e fortë, derisa bëhet e padurueshme.
Një ndjesi djegie…
Cigare…
Cigare… mbi golf, deri nën lëkurë.
Ja përse kishin nisur të tymosnin!
E gjej veten duke menduar se çfarë duhet të bëjë një njeri në këtë gjendje. Unë nuk mundem të bëj asgjë, as të dënes… Më duket sikur jam e përvarur, ngjeshur pas një dritareje, e detyruar të shoh çfarëdolloj gjëje të tmerrshme.
Ai që gjendet i ngjeshur në të djathtën time ndez cigaret, i thith nja dy herë dhe ia kalon atij që qëndron mes këmbëve.
Digjen shpejt.
Era e leshit të djegur mesa duket e shqetëson të katërtin: me një brisk më presin golfin, nga përpara, gjatazi… më presin edhe reçipetat… më presin edhe lëkurën në sipërfaqe: gjatë ekspertizës mjekësore do të konstatojnë njëzet centimetra.
Ai që më qëndron mes këmbëve më merr gjinjtë mes duarve, edhe djegiet i ndiej të ngrira…
Tani… më zbërthejnë rripin e pantallonave dhe të gjithë turren të më zhveshin: ca nga këmbët, ca nga koka.
Ai që më mban nga pas po eksitohet, e ndiej që fërkohet pas shpinës sime.
Tani… njëri… më hyn brenda.
Më vjen të vjell.
Duhet të rri e qetë, e qetë.
Përqendrohem te fjalët e këngëve… zemra është gati të më plas, nuk dua të dal nga pështjellimi në të cilin ndodhem.
“Lëviz, kurvë. Më kënaq!”
Nuk kuptoj asnjë fjalë… nuk njoh asnjë gjuhë. Një tjetër cigare.
“Lëviz, kurvë, më kënaq!”
Bëhem gur.
Tani… është radha e të dytit… goditjet e tij janë edhe më të vendosura. Bëhem për vdekje.
“Lëviz, kurvë, më kënaq!”
Brisku që shërbeu për të më prerë golfin më kalon shumë herë para syve. Nuk e ndiej në më pret a jo.
“Lëviz, kurvë, më kënaq!”
Gjaku më kullon nga faqet tek veshët.
Është radha e të tretit. Është e tmerrshme të ndjesh tek kënaqen brenda teje kësi kafshësh të shpifura.
“Po vdes, – arrita të them. – Jam e sëmurë, vuaj nga zemra!”
Besojnë, nuk besojnë, debatojnë.
“Le ta zbresim. Jo… po…” Kërcet një dackë mes tyre…
Më shtypin një cigare mbi qafë… këtu… për ta fikur.
Ligem në çast.
Ndiej që më lëvizin. Ai që më mbante nga pas më vesh me lëvizje precize. Më vesh ai, unë nuk mundem për asgjë. Ankohet si kalama sepse është i vetmi që nuk bëri dashuri… më falni… i vetmi, që nuk zbërtheu pantallonat… por ndiej ngutin e tij, frikën e tij. Nuk di si të më vesh golfin e prerë, më fut këmbëzat e pantallonave dhe kamioni ndalet që të zbres… dhe zhduket.
Me dorë mbaj xhaketën e mbyllur mbi gjoksin e zbuluar. Është gati terr. Ku ndodhem? Në park?
Më vjen ligsht… në kuptim që jam gati të më bjerë të fikët… jo vetëm për dhimbjen fizike në të gjithë trupin, por për fëlliqësinë… për poshtërimin… për zemërimin… për mijëra pështymat që mu hodhën fytyrës… për spermën që ndiej të më përvaret.
E mbështes kokën te një pemë… edhe flokët më dhembin… Po, mi tërhiqnin që të ma mbanin kokën në vend.
E përshkoj fytyrën me duar… qelbet në gjak.
Ngre jakën e xhaketës dhe shkoj. Eci… nuk e di për sa kohë.
Pa kuptuar, gjendem përballë policisë.
Mbështetur në murin e pallatit përballë, rri duke parë hyrjen nuk e di për sa çaste… njerëzit që hyjnë e dalin… policët….
Mendoj se çfarë duhet të përballoj nëse hyj tani… Dëgjoj pyetjet e tyre… shoh fytyrat… buzëqeshjet e shtirura…
Mendoj e rimendoj…
Më pas vendos…
Do të kthehem në shtëpi… do të kthehem në shtëpi…
Do t’i denoncoj nesër.
Shuhet drita.
Fundi i spektaklit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *