FOTOT/ Gjoka Konstruksion po shkatërron një nga fshatrat më të vjetër në Shqipëri, banorët marrin Policinë por s’gjejnë zgjidhje
Abdulla Diku, ekspert për Cështjet Mjedisore ka denoncuar sot në rrjetet sociale se kompania “Gjoka Konstruksion” është duke shkatërruar fshatin Shkallë në bashkinë e Klosit për të marrë zhavorrin e malin e fshatit. Në një postim në rrjetet sociale, Diku ka publikuar edhe disa foto ku shihet sesi faqja e malit është e gërryer. Eksperti shton se banorët kanë telefonuar Policinë, por nuk iu është përgjigjur.
DENONCIMI I PLOTË:
Si të shkatërrojmë jetën e një fshati!
Ky është fshati Shkallë në Nj.Ad. Xibër, bashkia Klos. Është ndër fshatrat më të vjetër në vendin tonë. Aty afër, gjendet “shpella e shkruar”, me piktograma 3000-4000 vjeçare. Edhe kalaja ilire, apo ‘maja e qytezës’ gjenden mbi fshat. Përballë, gjendet kalaja e Petralbës, rezidenca verore e Skënderbeut.
Rruga e Arbrit i kalon përmes fshatit.
Tani që po bëhet rruga, turizmi shihet si mundësia e vetme ku banorët mund të mbijetojnë.
Por nuk është e thënë….
Kompanisë “Gjoka” që po ndërton rrugën, i ka pëlqyer guri e zhavorri në malin e fshatit dhe është hedhur në sulm. Kuptohet që nuk ka nevojë për leje. Kanë filluar shpërthimet me dinamit. Ato pak burime ujore do thahen e banesat kanë filluar të dridhen fort. Pasojat te asetet historike nuk llogariten fare, fundja kush ka më shumë rëndësi; historia mijëra vjeçare apo fitimi për kompaninë?!
Gurorja e re nuk ka lidhje fare me rrugën e arbrit pasi është larg prej sajë.
Banorët shqetësohen me të drejtë. Vraga e hapur në mal e një dite pune duket kilometra larg tani. Nga ana tjetër, kompania gurët dhe zhavorrin që gërryen përgjatë ndërtimit të rrugës e hedh pa asnjë problem nën rrugë. Leja e mjedisit apo leja për guroren nuk duken asgjëkundi (sepse nuk mund të jepet leje e tillë vetëm 100 metra larg shtëpive)!
Dje banorët po telefonin policinë, por të gjithë numrat dilnin rastësisht “të padisponueshëm”. Bashkia po ashtu!
Ligji dhe maliqi është vetëm kompania… /Dosja.al/
Rruga Press